Erdoğan në Zagreb: Turqia ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në Ballkan dhe vazhdon të kontribuojë

“Si një vend i rajonit, Turqia ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në Ballkan dhe në këtë kontekst vazhdon kontributet e nevojshme”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me homologun kroat

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se vendi i tij si pjesë e rajonit ndjek nga afër zhvillimet në Ballkan, duke theksuar se në këtë kontekst vazhdon kontributet e nevojshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij në Zagreb të Kroacisë, pas takimit të tij kokë me kokë me homologun kroat Zoran Milanoviç dhe takimit mes delegacioneve, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media.

Duke folur rreth zhvillimeve në rajon, presidenti turk tha: “Si një vend i rajonit, Türkiye ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në Ballkan dhe në këtë kontekst vazhdon kontributet e nevojshme. Në bisedimet tona u konsultuam rreth hapave që mund t’i hedhim së bashku për mbrojtjen dhe përforcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Theksuam edhe një herë mbështetjen tonë në paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe integritetit të saj evropian. Me këtë qëllim, qëndruam mbi kontributet që mund të bëjmë së bashku si Türkiye dhe Kroaci. Ne diskutuam në mënyrë të veçantë vazhdimin e dialogut tonë rreth Bosnje e Hercegovinës në një kuptim më të gjerë pas zgjedhjeve”.

Mes tjerash presidenti Erdoğan duke rikujtuar se vendi i tij dhe Kroacia këtë vit festojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, theksoi se edhe pse vendet e tyre nuk ndajnë kufij të përbashkët, ato shohin njëri-tjetrin si fqinj dhe aleatë.

Erdoğan deklaroi se në takim gjithashtu kanë biseduar edhe për zhvillimet rajonale, marrëdhëniet bilaterale dhe luftën Rusi-Ukrainë.

“Vëllimi ynë tregtar shënoi një rikuperim të fortë vitin e kaluar, duke e tejkaluar periudhën para pandemisë dhe arriti në 900 milionë dollarë”, tha Erdoğan në lidhje me tregtinë mes dy vendeve, duke shtuar se është shënuar një rritje prej rreth 41 për qind.

Ai tha se interesi i kompanive turke në Kroaci është në nivel të kënaqshëm, duke treguar se ata operojnë në sektorë të ndryshëm përfshirë energji, turizëm dhe sektorin bankar.

Erdoğan gjithashtu rikujtoi se sot bashkë me homologun e tij do të bëjë hapjen e Qendrës Kulturore Islamike në qytetin Sisak të ndërtuar me mbështetje të TIKA-s, gjë e cila sipas tij do të jetë një mesazh i rëndësishëm për gjithë Evropën dhe botën.

Ai e falënderoi Milanoviçin për mbështetjen e dhënë në ndërtimin e Qendrës Kulturore Islamike.

Presidenti Erdoğan në konferencën e përbashkët për media foli edhe lidhur me dërgesat e drithit nga Ukraina. “Drithërat që vijnë nga dërgesat, fatkeqësisht shkojnë në vendet e pasura, jo në vendet e varfra”, tha ai, ndërsa shprehu pritjen e tij që të fillojnë edhe dërgesat e drithit nga Rusia.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni