“Krijimi i një shteti të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të integruar të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, është thelbësor”, tha presidenti Erdoğan.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Izraeli duhet t’i japë fund pushtimit të tokave palestineze dhe të kompensojë dëmin që ka shkaktuar, raporton Anadolu.
“Krijimi i një shteti të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të integruar të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, është thelbësor”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin malajzian Anwar Ibrahim gjatë vizitës së tij në Malajzi.
Në lidhje me ndihmën për Gazën, presidenti turk tha se beson që “ne mund ta përballojmë këtë” nëse të gjithë anëtarët e ASEAN-it bëhen bashkë.
Nga ana e tij, Anwar tha se Türkiye ka treguar lidership në çështjen e Gazës dhe se asnjë vend tjetër nuk ka bërë aq sa Ankaraja zyrtare sa i përket ndihmës humanitare.
Anwar tha se do të mobilizojnë Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) për rindërtimin e Gazës nën presidencën e rradhës të Malajzisë.
Në lidhje me armëpushimin e Gazës, Anwar tha se politikat “agresive dhe ekspansioniste” të Izraelit vazhdojnë dhe vuri në dyshim shanset për përparim pasi Izraeli nuk është tërhequr nga enklava palestineze.
Duke folur për marrëdhëniet tregtare midis Türkiyes dhe Malajzisë, Erdoğan tha se ata kanë vendosur të rrisin vëllimin tregtar dypalësh. Synimi është që shkëmbimi tregtar aktual prej rreth 5 miliardë dollarësh të dyfishohet dhe të arrijë në 10 miliardë dollarë.
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Malajzisë Anwar Ibrahim priti me nderimet më të larta presidentin turk Erdoğan.
Pas takimeve, ceremonive të nënshkrimit dhe konferencës për media, Erdoğan do të ketë fjalim edhe në Forumin e Biznesit Türkiye-Malajzi.
Të dielën, presidenti Erdoğan nisi një vizitë katër-ditore duke përfshirë Malajzinë, Indonezinë dhe Pakistanin.
Ai mbajti një fjalim të hënën në Universitetin Malaya, ku iu dha një doktoraturë nderi.
“Pavarësisht distancës së tyre gjeografike, Türkiye dhe Malajzia, të cilat ndodhen në dy anët e ndryshme të Azisë, janë në fakt dy vende miqësore, vëllazërore dhe partnere”, tha ai.