Presidenti Erdoğan mbajti fjalim në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Ligës Arabe që po mbahet në Rijad të Arabisë Saudite
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se situata në Rripin e Gazës ka arritur deri në këtë pikë për shkak të paaftësisë së vendeve muslimane për të reaguar, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan mbajti fjalim në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Ligës Arabe që po mbahet në Rijad të Arabisë Saudite.
“Teksa disa vende perëndimore i ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes Izraelit, paaftësia e vendeve muslimane për të reaguar e ka sjellë situatën deri në këtë pikë”, theksoi presidenti Erdoğan.
Ai rikujtoi se deri më sot, 50 mijë palestinezë, 70 për qind e të cilëve fëmijë dhe gra, “janë martirizuar në masakrat e kryera nga Izraeli në Gaza dhe territoret e tjera palestineze”.
“Izraeli nuk toleron madje as dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe ka muaj që i mban në pritje materialet e ndihmave të dërguara në Egjipt”, tha Erdoğan, duke shtuar se Türkiye deri më sot ka dërguar mbi 84 mijë tonë ndihma në Gaza dhe është gati të dërgojë shumë më tepër kur të hiqen pengesat.
“Duhet të inkurajojmë numrin maksimal të vendeve që të ndërhyjnë në çështjen e ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh më tej Erdoğan, duke shtuar:
“Ne jemi të gatshëm të zbatojmë të gjitha propozimet konkrete dhe realiste që do ta bëjnë qeverinë e Netanyahut të ndiejë se pushtimi i tokave palestineze ka një kosto”.
Më herët gjatë ditës, presidenti Erdoğan u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” nga princi i Rijadit, Faisal bin Bandar Al Saud, ambasadori saudit në Ankara Fahad bin Assad Abualnasr si dhe ambasadori turk në Rijad, Emrullah İşler.
Në vizitën e tij në Arabinë Saudite presidenti Erdoğan shoqërohet nga ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, kryekëshilltari i presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çağatay Kılıç, kreu i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës Fahrettin Altun si dhe kreu i Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalın.