Presidenti Recep Tayyip Erdoğan shprehu kënaqësinë e tij për armëpushimin e arritur në Gaza, duke theksuar se Turqia do të vërë në dispozicion të gjitha mundësitë për të lehtësuar plagët.
Pas sulmeve të nisura nga Izraeli në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, që zgjatën 467 ditë dhe lanë pas më shumë se 156 mijë të vrarë e të plagosur, u arrit sërish një marrëveshje për armëpushim.
Fillimisht, detajet e armëpushimit u bënë të ditura nga deklaratat e Donald Trump, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, dhe më pas nga Katari.
Pas deklaratave të Presidentit amerikan Joe Biden, një deklaratë erdhi edhe nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Presidenti Erdoğan theksoi se ata mirëpresin përfundimin me marrëveshje të bisedimeve për armëpushimin ndërmjet Lëvizjes së Rezistencës Palestineze Hamas dhe Izraelit. Në vijim të deklaratës ai u shpreh:
“PËRSHËNDETJE HEROJVE DHE FËMIJËVE TË GUXIMSHËM TË GAZËS”
Ne shpresojmë që marrëveshja të jetë e dobishme për vëllezërit tanë palestinezë, për rajonin tonë dhe për të gjithë njerëzimin, dhe të hapë rrugën për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Përshëndesim me respekt popullin heroik të Gazës dhe fëmijët e saj të guximshëm, të cilët mbrojnë me guxim tokat dhe lirinë e tyre përballë sulmeve çnjerëzore dhe kundërligjore të Izraelit.
“DO TË VËMË NË DISPOZICION TË GJITHA MUNDËSITË PËR GAZËN”
Si Turqi, ne nuk i kemi lënë kurrë vetëm vëllezërit tanë palestinezë në luftën e tyre kundër padrejtësisë dhe shtypjes.
Me ndihmën e Zotit, edhe në të ardhmen do të qëndrojmë pranë popullit të Gazës, duke vënë në dispozicion të gjitha mundësitë tona për të lehtësuar plagët dhe për të ringritur Gazën.
Me këtë rast, kujtojmë me mëshirë të gjithë dëshmorët tanë që kanë ujitur me gjakun e tyre të shenjtë tokat e Gazës dhe lutemi që marrëveshja e armëpushimit të jetë e dobishme.