Erdoğan për CNN International: Populli turk do të dëshmojë fuqinë e demokracisë turke

Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetares Becky Anderson nga CNN International, ku bëri vlerësime mbi shumë tema, nga procesi zgjedhor e deri te politika e jashtme

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, në një intervistë për CNN International, shprehu bindjen se populli turk do të dëshmojë edhe një herë demokracinë turke në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj, pas pjesëmarrjes “së pashembullt” në votimin e javës së kaluar, transmeton Anadolu.

Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetares Becky Anderson nga CNN International, ku bëri vlerësime mbi shumë tema, nga procesi zgjedhor e deri te politika e jashtme.

Lidhur me pyetjen: “Në 20 vitet e fundit në çdo zgjedhje keni fituar lehtësisht, keni thyer rekorde. Për herë të parë në historinë e Türkiyes zgjedhjet shkuan në raundin e dytë. Sa rehat ndiheni për momentin?”, Erdoğan tha: “Besoj që në zgjedhjet e së dielës së ardhshme populli im do të dëshmojë fuqinë e demokracisë turke. (Në raundin e parë) Kishim një dalje që arriti deri në 90 për qind. Kjo është një pjesëmarrje e pashembullt. Është e paprecedentë në botë. Unë shpresoj që edhe në këto zgjedhje populli im nuk do të na zhgënjejë”.

Pasi u rikujtua se “e ka dënuar deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden që gjatë fushatës së tij zgjedhore i ka thënë atij autokrat”, Erdoğan tha: “A mund të bëhet diktator një njeri që shkon në raundin e dytë, e jo në të parin? Ky është realiteti. Alenca Popullore do të hyjë në parlament me 322 deputetë dhe kryesuesi i kësaj të shkojë i pari në raundin e dytë. Çfarë diktature është kjo?”.

I pyetur “Vallë do të punoni me administratën e Bidenit nëse rizgjidheni?”, presidenti Erdoğan u përgjigj: “Padyshim. Do të punoj edhe me zotëri Bidenin. Nëse Biden ndryshohet, do të punoj edhe me këdo do që të vijë në vendin e tij”.

Lidhur me mospajtimin me qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë gjatë konfliktit me Rusinë dhe deklaratën e tij që “Perëndimi ndjek më shumë një politikë të bazuar në provokim”, presidenti turk u pyet: “A do të thotë provokim dërgimi i ndihmës së madhe gjithëpërfshirëse ushtarake dhe financiare në Ukrainë?”.

“Perëndimi në këtë pikë nuk ka shfaqur një qasje të ekuilibruar. Do të ishte më e qëlluar një qasje e ekuilibruar ndaj një shteti si Rusia. Ashtu siç unë i zhvilloj marrëdhëniet e mia me zotëri Putinin, edhe Perëndimi duhej t’i zhvillonte. Sepse në botë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Pra, ashtu siç unë bisedoj me çdo shtet të Perëndimit, në këtë drejtim bisedoj në atë mënyrë edhe me zotëri Putinin. Po ashtu, në Korridorin e Drithërave të Detit të Zi, ne kemi ardhur në atë pikë ku kemi plotësuar nevojat jo vetëm të vendeve perëndimore, por edhe të vendeve afrikane. Shikoni, tani, duke filluar nga 18 maji, kemi zgjatur për dy muaj procesin e drithërave. Si ndodhi kjo? Falë marrëdhënies sonë të veçantë me zotëri Putinin”, u shpreh presidenti turk.

Intervista e plotë e presidentit Erdoğan në CNN International do të transmetohet gjatë ditës.

Kategoritë
BotaLajme