Erdogan për përmbytjet në Bosnjë: Vëllezërit boshnjakë nuk i lëmë vetëm, kujdesemi për trashëgiminë e Alija Izetbegoviçit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u zotua se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Bosnjë e Hercegovinën pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën vendin javën e kaluar, raporton Anadolu.

“Ne kemi bërë dhe po bëjmë çmos për të shëruar plagët e vëllezërve dhe motrave tona (në Bosnjë e Hercegovinë), shtëpitë e të cilëve u shkatërruan, të cilët humbën të afërmit e tyre dhe që pësuan dëme financiare”, tha Erdoğan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij AK në Ankara.

“Me lejen e Zotit, ne nuk do t’i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona, ashtu siç edhe kemi vepruar deri më tani”, theksoi presidenti turk, duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë të kujdesemi më së miri për amanetin që na ka lënë i ndjeri Alija Izetbegoviq, duke na mbajtur dorën në spital para se të jepte frymën e fundit”.

Gjatë javës së kaluar përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje të dheut goditën zonat e Jabllanicës, Konjicës, Kiseljakut, Fojnicës dhe qyteteve të tjera, duke marrë të paktën 21 jetë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkaq, dhjetëra persona po ashtu rezultojnë të zhdukur.

Türkiye, nëpërmjet institucioneve të ndryshme, ka ofruar ndihmë për të prekurit dhe në operacionet e shpëtimit që në ditët e para.

Të hënën, ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, së bashku me një delegacion shoqërues, vizitoi zonën e goditur nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë, ku gjithashtu u zotua për vazhdimin e mbështetjes së Ankarasë për vendin.

Kategoritë
BotaLajme