Erdogan për rritjen e AfD-së së djathtë ekstreme në Gjermani: “Fatkeqësisht, shqetësimi ynë u konfirmua”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, komentoi rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani dhe tha se është jashtëzakonisht i shqetësuar për rritjen e ekstremit të djathtë.

Erdogan theksoi se lëvizjet ekstremiste të djathta janë bërë një forcë vendimtare në politikën evropiane.

“Ne kemi tërhequr vëmendjen për rritjen e lëvizjes ekstremiste të djathtë kundër emigrantëve dhe islamofobike në Perëndim. Fatkeqësisht, në zgjedhjet e fundit, shqetësimi ynë u konfirmua”, tha Erdogan.

Ai gjithashtu theksoi se ngjarjet në Siri dhe Ukrainë kanë konfirmuar nevojën e Evropës për Turqinë.

“Vetëm Turqia mund ta shpëtojë Bashkimin Evropian nga ngërçi ku ka rënë. Anëtarësimi i plotë i Turqisë në BE mund ta shpëtojë atë. Kjo është gjaku që i duhet”, theksoi presidenti turk.

Në fund, Erdogan tha se Ankaraja dëshiron të avancojë procesin e saj të anëtarësimit në BE.

“Me vendosmërinë e duhur, mund të arrijmë shpejt rezultate. Së bashku do të shohim se ku do të na çojë ky proces”, përfundoi Erdogan.

Kategoritë
BotaLajme