Erdoğan: Punojmë për vendosjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkan

“Punojmë gjithashtu për vendosjen e stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit në Ballkan, me të cilin kemi lidhje të thella”, tha Erdoğan

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se janë duke punuar për vendosjen e stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit në Ballkan, me të cilin kanë lidhje të thella, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan i bëri këto vlerësime gjatë fjalimit të tij para diplomatëve turq që morën pjesë në Konferencën e 13-të të Ambasadorëve në Ankara.

“Punojmë gjithashtu për vendosjen e stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit në Ballkan, me të cilin kemi lidhje të thella”, tha Erdoğan duke shtuar se me të njëjtin synim veprojnë edhe në Egje, Mesdheun Lindor dhe Detin e Zi.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit”

Presidenti turk më tej gjatë fjalimit të tij aludoi në një operacion të ri të mundshëm ndërkufitar për të pastruar organizatën terroriste PKK nga kufiri i saj me Sirinë. “Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit. Vendimi ynë për të vendosur një linjë të sigurtë 30 kilometra të thellë përgjatë kufirit tonë jugor është i vazhdueshëm”, tha ai.

“Shpresoj se së shpejti do t’i bashkojmë pjesët e kësaj zone të sigurisë së bashku duke pastruar zonat e fundit ku organizata terroriste ka ngritur fole në Siri”, shtoi Erdoğan.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tre operacione të suksesshme anti-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

“Al Aksa është vija e kuqe për Türkiye-n”

Në lidhje me sulmet e fundit izraelite në Gaza, të cilat rezultuan në vdekjen e shumë civilëve, duke përfshirë fëmijë, presidenti Erdoğan tha: “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për vrasjen e fëmijëve, foshnjave në lurek. Türkiye qëndron në krah të popullit palestinez dhe vëllezërve të saj në Gaza”.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe grupit palestinez Xhihadi Islamik u njoftua të dielën, duke i dhënë fund sulmeve ajrore izraelite që zgjatën tre ditë dhe sulmeve hakmarrëse me raketa nga Gaza.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 43 palestinezë janë vrarë dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.

Erdoğan tha se Xhamia Al-Aksa është një “vijë e kuqe” për Türkiye-n.

Ministria e Jashtme turke gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që të mos lejojë akte që synojnë statusin dhe shenjtërinë e kompleksit të xhamisë Al-Aksa.

Türkiye bën thirrje për dialog midis Rusisë dhe Ukrainës

Türkiye, që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, ka argumentuar se “nuk do të ketë fitues”, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar: “Në takimet me Zelenskyy-n dhe Putin-in, ne nënvizuam se problemet duhet të zgjidhet me dialog”.

Erdoğan tha se pavarësisht të gjitha gjërave negative, Türkiye vazhdoi përpjekjet dhe siguroi zbatimin e marrëveshjes së korridorit të drithërave.

Më 22 korrik, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase të Detit të Zi: Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhny, për eksportin e drithërave ukrainase që ngelën aty për shkak të luftës, e cila tani është muajin e saj të gjashtë.

“Anijet po lundrojnë siç e dini tani. Kështu, ne kontribuuam në sigurinë e furnizimit botëror në një kohë kur kriza ushqimore ishte në prag. Deri më tani, ne kemi arritur ta zbatojmë këtë marrëveshje pa hasur ndonjë problem serioz”, tha presidenti turk.

Që nga anija e parë e cila u nis më 1 gusht, 10 anije që transportonin mbi 304 mijë ton drithëra deri më tani janë larguar nga portet ukrainase sipas marrëveshjes.

Kategoritë
BotaLajme