Erdogan reagon ndaj SHBA-së: Nëse doni të vazhdojmë aleancën, ndërprisni mbështetjen për terroristët

Presidenti Recep Tayyip Erdogan reagoi të hënën ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që heshtën kur organizata terroriste separatiste PKK martirizoi 13 shtetas turq në zonën e quajtur Gara, në veri të Irakut.

“Mjaft më tani! Nëse do ta vazhdojmë këtë aleancë tonën me ju në botë dhe në NATO, atëherë nuk duhet të mbani anën e terroristëve. SHBA-ja padyshim që po mbështet PKK-në, YPG-në dhe PYD-në pavarësisht se pretendon të kundërtën. Duart e të gjithë atyre që u dalin zot, mbështesin dhe simpatizojnë terroristët e PKK-së janë përlyer me gjakun e këtyre njerëzve të pafajshëm (të martirizuar në veri të Irakut). Platformat e medias sociale, të cilat janë transformuar në mjete propagande të organizatave terroriste, janë që të gjitha përgjegjëse për poshtërsinë e ekzekutimit të 13 njerëzve të pafajshëm e të paarmatosur”, deklaroi kreu i shtetit turk, njëherësh lider i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, gjatë Kongresit 7. të Zakonshëm Rajonal të AK Partisë në Rize, provincë në lindje të Detit të Zi.

Në vijim, Presidenti Erdogan dha informacione mbi Operacionin “Kthetra Shqiponja-2”, i cili po ekzekutohet në kuadër të luftës antiterrorizëm nga forcat turke të sigurisë në veri të Irakut, në zonën e quajtur Gara.

“Patëm thënë që në një fazë të parë do të hyjmë në të gjitha strofkat, shpellat e tyre; ndërkohë u neutralizuan 42 terroristë. Nuk ka asnjë organizatë terroriste dhe asnjë fuqi mashë që mund t’i bëjë ballë ushtrisë turke, e cila po zhvillohet çdo vit e më shumë. E paaftë t’u dalë përpara ushtarëve tanë, organizata terroriste – fatkeqësisht – s’njeh kufij në poshtërsi. Këta nuk janë thjesht të poshtër, këta janë fundërrina”, u shpreh ai.

“Turqia do ta vazhdojë luftën e saj deri në neutralizimin e terroristit të fundit të PKK-së. Tanimë asnjë vend nuk është i sigurt për terroristët, qofshin ata në Kandil, Sinjar apo Siri”, shtoi Presidenti Erdogan duke folur me krenari për ushtrinë turke, e cila – siç theksoi ai – është në gjendje të kryejë me mjetet e saj çdo operacion të nevojshëm për sigurinë kombëtare pavarësisht kufijve vendorë dhe kohorë.

Kategoritë
BotaLajme