Erdoğan: SHBA-ja duhet të largohet nga bregu lindor i Eufratit

“Operacioni i ri ushtarak në Sirinë veriore do të jetë në tryezë derisa të zgjidhen çështjet e sigurisë së Türkiye-s”, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë kthimit nga Teherani

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se SHBA duhet të largohen nga bregu lindor i Eufratit dhe se ky ishte një konstatim që doli nga procesi i Astanës, raporton Anadolu Agency (AA). ).

Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion gjatë kthimit të tij nga Teherani, kryeqyteti i Iranit, ku mori pjesë në Samitin e 7-të trepalësh në formatin e Astanës me homologët e tij të Rusisë dhe Iranit, Vladimir Putin dhe Ebrahim Raisi.

“SHBA-ja tani duhet të largohet nga bregu lindor i Eufratit. Ky është një konstatim që doli nga procesi në Astanës, sepse Amerika është ajo që po ushqen organizatat terroriste atje”, tha Erdoğan.

Presidenti turk iu referua gjithashtu mundësisë së një operacioni të ri ushtarak në Siri. “Operacioni i ri ushtarak në veri të Sirisë do të jetë në tryezë derisa të zgjidhen çështjet e sigurisë së Türkiye-s”, deklaroi Erdoğan, duke shtuar:

“Duam që Rusia dhe Irani të jenë me ne në luftën kundër organizatave terroriste 30 kilometra në jug të kufirit sirian. Ata duhet të na japin mbështetjen e duhur”.

Pas takimit të delegacioneve ushtarake të Türkiye-s, Rusisë, Ukrainës dhe përfaqësuesve të OKB-së për transportin detar të drithërave ukrainas, u dakordua që në Stamboll të ngrihet qendra e koordinimit ku do të vendosen përfaqësues të të gjitha palëve.

“Këtë javë duam ta lidhim memorandumin në një tekst të shkruar. Shpresojmë që plani të fillojë të zbatohet në ditët në vijim”, tha presidenti turk.

I pyetur për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, Erdoğan tha se, “Türkiye nuk do të ketë një qëndrim pozitiv për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, nëse nuk i përmbushin premtimet e tyre për luftën kundër terrorizmit”.

Kategoritë
BotaLajme