Erdoğan tha se Türkiye ka nisur një iniciativë nën OKB-në për të vendosur embargo gjithëpërfshirëse të armëve ndaj Izraelit, pasi sulmet e intensifikuara izraelite në Rripin e Gazës dhe në Liban po vazhdojnë të marrin qindra jetë njerëzish çdo ditë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se SHBA-ja përdor organizatat terroriste në Lindjen e Mesme për interesat e veta dhe sigurinë e Izraelit, raporton Anadolu.
“Tani është një fakt i njohur që SHBA-ja përdor organizatat terroriste në rajon për interesat e veta dhe për sigurinë e Izraelit”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve në bordin e aeroplanit presidencial që kthehej nga Rusia pas samitit të bllokut BRICS.
Erdoğan tha se Türkiye ka nisur një iniciativë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të vendosur embargo gjithëpërfshirëse të armëve ndaj Izraelit, pasi sulmet e intensifikuara izraelite në Rripin e Gazës dhe në Liban po vazhdojnë të marrin qindra jetë njerëzish çdo ditë.
Presidenti turk theksoi se numri i vendeve që mbështesin thirrjen e Ankarasë për embargo armësh ndaj Izraelit po rritet.
“Ne shpresojmë të kemi sukses në këtë ‘Aleancë të Njerëzimit’ dhe të hapim derën për paqe të qëndrueshme”, tha ai.
– “Qëllimi ynë është një Türkiye pa terror”
Lidhur me sulmin terrorist të PKK-së në selinë e Industrisë së Hapësirës Ajrore Turke (TUSAŞ) në kryeqytetin Ankara, i cili vrau 5 persona dhe plagosi 22 të tjerë, Erdoğan theksoi se Türkiye vazhdon përpjekjet e saj për të “eliminuar plotësisht terrorizmin në burimin e tij”. Nëse burimi i kësaj është Siria, shtoi presidenti Erdoğan, atëherë “ne bëjmë atë që është e nevojshme për burimin aty”.
“Do të punojmë më shumë, do të prodhojmë më shumë përkundër tradhtarëve. Me sukseset tona do t’i shqetësojmë ata që shqetësohen nga Türkiye”, u shpreh ai.
Pas sulmit, ushtria turke dhe agjencia e inteligjencës nisën sulme ajrore ndaj pozicioneve të PKK/YPG-së në Irakun verior dhe Siri. “Terroristët janë kukulla. Qëllimi ynë është një Türkiye pa terror. Ne nuk do të bëjmë kompromis për këtë. PYD/PKK-ja, dega siriane e grupit terrorist PKK, është e destinuar të braktiset, të lihet e izoluar”, shtoi ai.
Presidenti turk theksoi se “përpjekjet e organizatës terroriste, e cila përfiton nga paqëndrueshmëria në Siri, për t’u vënë nën mbrojtjen e disa vendeve perëndimore, janë të kota”. Grupi terrorist, theksoi presidenti turk, që “shfrytëzon paqëndrueshmërinë në Siri, po harxhon përpjekjet për të kërkuar patronazhin e disa vendeve perëndimore”.
Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se Türkiye pret që administrata siriane t’i kuptojë përfitimet që do t’u sjellë “normalizimi i sinqertë dhe i vërtetë” me Türkiyen dhe që të bëjë hapa në këtë drejtim.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.
– Takimet në Rusi në margjinat e samitit të bllokut BRICS
Më tej, presidenti turk foli edhe për takimet me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë kinez, Xi Jinping, në margjinat e samitit të bllokut BRICS që u mbajt këtë javë në qytetin rus Kazan.
“Gjatë takimit me Putinin pamë se kishte pritje për shkëmbimin e të burgosurve. Kemi ndjekur nga afër hapat drejt shkëmbimit të të burgosurve”, tha Erdoğan, duke iu referuar shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.
Lidhur me takimin me presidentin kinez, Erdoğan njoftoi se presidenti Xi do të realizojë një vizitë në Türkiye, pas çka edhe pala turke do të vizitojë Kinën. “BRICS është platformë e madhe ku bashkohen ekonomitë në zhvillim. Ne duhet ta shohim këtë fakt. Ne duam të zhvillojmë marrëdhëniet tona me BRICS-in”, tha Erdoğan.
Presidenti turk foli edhe për tregtinë globale dhe sistemet e financave. “Tregtia me monedhat kombëtare është gjithashtu tregti e lirë. Prandaj, sistemet alternative të financave dhe pagesave lehtësojnë dhe diversifikojnë tregtinë ndërkombëtare”, tha ai.
– Avionët luftarak “Eurofighter Typhoon”
Lidhur me takimin e tij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, fundjavën e kaluar në Istanbul, presidenti Erdoğan bëri të ditur se gjatë takimit është parë mundësia e ndërmarrjes së hapave pozitive për blerjen e avionëve “Eurofighter Typhoon”.
“Britania dhe Gjermania janë pozitiv në këtë çështje”, tha Erdoğan.
I pyetur në lidhje me interesin e Türkiyes për blerjen e avionëve “Eurofighter Typhoon”, Scholz në Istanbul tha se bisedimet janë duke u zhvilluar aktualisht midis Britanisë dhe Türkiyes për një shitje të mundshme.
Avionët luftarakë “Eurofighter Typhoon” prodhohen bashkërisht nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Spanja. Përfshirja e Gjermanisë në procesin e prodhimit kërkon miratimin përfundimtar të saj që të bëhet shitja.