Erdoğan: SHBA nuk vepron në mënyrë të drejtë kur bëhet fjalë për aleatët e NATO-s

Presidenti Erdoğan theksoi se rëndësia e Türkiye-s dhe Greqisë në NATO thjesht nuk ka krahasim dhe tha se SHBA-ja “nuk mund të gjejë një aleat tjetër si Türkiye”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka kritikuar SHBA-në për qëndrimin e saj të anuar mes tensioneve midis Türkiye-s dhe Greqisë, duke i bërë thirrje Washingtonit për trajtimin e barabartë të aleatëve të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë televizive, presidenti Erdoğan theksoi se rëndësia e Türkiye-s dhe Greqisë në NATO thjesht nuk ka krahasim dhe tha se SHBA-ja “nuk mund të gjejë një aleat tjetër si Türkiye”.

“Pritja jonë nga SHBA-ja është të mos përfshijë Greqinë në llogaritje të gabuara dhe të mos lejojë manipulimin e opinionit publik ndërkombëtar”, shtoi ai.

Erdoğan dënoi vendimin e fundit të SHBA-së për heqjen e embargos së armëve ndaj administratës së Qipros Greke, duke e cilësuar atë masë “të pashpjegueshëm për sa i përket përmbajtjes dhe kohës”.

Ai tha se masa “nuk do të mbetet pa përgjigje” dhe u zotua se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Duke folur për luftën në Ukrainë, Erdoğan njoftoi se sot do të bisedojë me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Zelenskyy dëshiron mbështetjen tonë për (referendumet e mbajtura në) katër rajonet dhe dëshiron që ne ta bindim Putin-in. Unë synoj t’i diskutoj këto çështje në detaje me Putin-in. Do të doja që ata të mos mbanin referendume, por ne mund ta zgjidhim këtë problem përmes diplomacisë”, tha ai.

Mbi frikën e një lufte të mundshme bërthamore, presidenti Erdoğan theksoi se kostoja e një konflikti të tillë do të ishte “katastrofik”.

“As që duhet menduar për këtë, lëre më të flitet për të. Zgjidhja e kësaj çështje përmes diplomacisë do të ishte hapi më i përshtatshëm”, tha ai.

Në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të Türkiye-s kundër terrorizmit, ai u bëri thirrje SHBA-së dhe Rusisë që të përmbushin premtimet që kanë bërë në marrëveshjen e vitit 2019 për eliminimin e organizatave terroriste nga Siria veriore.

Ndërsa lidhur me kërkesën e Ankarasë për njohjen e TRNC-së, presidenti turk tha se “nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së vepron në mënyrë të drejtë, ne do ta përshpejtojmë këtë proces”.

Kategoritë
BotaLajme