Duke folur për mediat në Istanbul përpara nisjes së tij për në New York, Erdoğan tha se Izraeli po kryen sulme si një grup terrorist
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dënoi sot sulmet e Izraelit në Liban, duke pohuar se këto sulme kanë vërtetuar shqetësimet e Türkiyes për ambiciet e Izraelit për të shtrirë konfliktin në gjithë rajonin, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp të mbajtur në Aeroportin Atatürk në Istanbul përpara vizitës së tij në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (OKB), Erdoğan tha se Izraeli po kryen sulme si një grup terrorist.
“Me këtë sulm (shpërthimet e pajisjeve “pager” në Liban), Izraeli tregoi se nuk ka ndjeshmëri ndaj civilëve dhe mund të përdorë çdo mjet për të arritur ambiciet e tij të urrejtjes”, tha ai.
Rajoni tani po përballet me një “krizë të pashpjegueshme të madhe”, tha presidenti turk.
Presidenti Erdoğan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve perëndimore, që “të ndalojnë së vëzhguari veprimet e neveritshme Izraelit dhe të ndërmarrin hapa parandalues”.
Të paktën 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.250 të tjerë, përfshirë fëmijë dhe gra, u plagosën pasi pajisje “pager” dhe pajisjet të radio-komunikimit “ICOM” shpërthyen në Liban të martën dhe të mërkurën.
– Lufta e Izraelit në Gaza
Erdoğan tha se në fjalimin e tij në Samitin e së Ardhmes, ai do të theksojë edhe një herë nevojën për reforma në mekanizmat e qeverisjes globale, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe arkitekturën financiare ndërkombëtare. “Do të theksoj domosdoshmërinë për një strukturë më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe efektive”, tha ai.
Duke vënë në dukje se do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator, ai tha: “Do të ndaj pikëpamjet tona për çështjet në agjendën e rajonit tonë dhe njerëzimit. Unë do të trajtoj në mënyrë specifike veprimet e përbashkëta që mund të ndërmerren kundër gjenocidit në Gaza dhe politikave agresive të Izraelit”.
Erdoğan vuri në dukje se më shumë se 130 krerë shtetesh dhe qeverish nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së pritet të marrin pjesë në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme këtë vit.
Presidenti turk tha se e gjithë bota dhe veçanërisht OKB-ja kanë përgjegjësi të rëndësishme për t’i dhënë fund persekutimit izraelit në Gaza për të vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e papenguar të ndihmës humanitare. “Këto do t’ua kujtojmë edhe një herë bashkëbiseduesve gjatë vizitës sonë”, shtoi ai.
“Netanyahu dhe rrjeti i tij përdorin të gjitha llojet e provokimeve dhe nxitjeve për të zbatuar ideologjinë e tyre radikale sioniste. Sulmet dhe ngacmimet në rritje kundër Xhamisë al-Aksa, kibles sonë të parë, janë secila pjesë e të njëjtit skenar të ndyrë. Si Türkiye, ne e kemi shprehur vazhdimisht nivelin e ndjeshmërisë sonë për këtë çështje. Pozicioni ynë është i njëjtë edhe sot. Presioni ndaj Izraelit duhet të rritet më tej për të parandaluar që rajoni ynë të tërhiqet në një katastrofë masive”, tha ai.
Për çështjen siriane, Erdoğan tha: “Ne kemi treguar gjithashtu vullnetin tonë për t’u takuar me Bashar Al-Assadin për të normalizuar marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Sirisë. Tani ne presim një përgjigje nga pala tjetër”.