Erdogan: Tani jemi në një periudhë kur familja po minohet si kurrë më parë, kjo është çështje mbijetese

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan foli për rënien e popullsisë dhe rrezikimin e familjes dhe vlerave familjare, duke theksuar rëndësinë e vlerave kulturore në zgjidhjen e këtij problemi.

“Jemi në një periudhë në të cilën familja, krijimi i saj dhe lindja e fëmijëve po minohen si kurrë më parë,” tha Erdogan në Stamboll.

Sipas tij, institucioni i familjes është i rrezikuar si në Turqi ashtu edhe në të gjithë botën.

“Edhe projeksionet më optimiste tregojnë se popullsia e Turqisë do të kalojë nga rritja në rënie brenda 10 viteve. Nëse situata vazhdon kështu, pritet që popullsia jonë të bjerë për 10 milionë deri në fund të këtij shekulli,” tha ai.

Erdogan mendon se për Turqinë kjo paraqet një të ardhme shqetësuese.

Ai beson se rruga e Turqisë është kthimi te rrënjët kulturore dhe shpirtërore.

“Do të kthehemi te thelbi dhe do të përqafojmë rrënjët tona. Do ta gjejmë drejtimin në dritën e fesë sonë, pasurisë së kulturës sonë dhe udhëheqjes së mençurisë sonë,” tha presidenti turk.

Ai kritikoi ideologjitë perëndimore, duke akuzuar forcat e huaja se “krijojnë një klimë që i vë burrat dhe gratë kundër njëri-tjetrit.”

“Në besimin dhe kulturën tonë nuk ekziston garë, konkurrencë apo ndonjë përplasje për epërsi mes burrave dhe grave që bie ndesh me statusin e qenies njerëzore si krijesa më fisnike. Civilizimi ynë i sheh të gjitha krijesat, pa dallim gjinie, si të barabarta, dhe jetën, njerëzimin e shpirtin si të shenjta dhe të paprekshme,” u shpreh ai.

Më vonë, në një ngjarje tjetër, Erdogan komentoi për polemikën që shpërtheu pasi futbollistët shpalosën një pankartë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë në mbështetje të lindjes natyrale.

“Në një kohë kur norma e fertilitetit dhe rritja e popullsisë janë në nivele alarmante, nuk mund të humbim kohë me gjëra të tilla të parëndësishme,” tha Erdogan dhe shtoi:

“Kjo për ne është një çështje mbijetese.”

Kategoritë
BotaLajme