Erdogan telefonon Arda Gulerin dhe futbollistët tjerë turq duke i përgëzuar dhe duke iu dhënë një porosi

Kombëtarja e Turqisë ka arritur fitoren e parë në Euro 2024, pasi mposhti Gjeorgjinë me rezultat 3-1 në kuadër të Grupit F.

Ka qenë një ndeshje fantastike nga turqit, me talentin e madh Arda Guler që ka shënuar golin më të bukur në këtë sfidë.

E pas ndeshjes Guler dhe gjithë ekipi kombëtar i Turqisë u telefonuan nga presidenti turk Recep Tayip Erdogan i cili i ka uruar ata për fitoren.

Guler shënoi golin më të bukur të kampionatit deri më tani kur nga mbi 20 metra goditi me këmbën e majtë dhe në këtë mënyrë u bë debutuesi më i ri në Euro që ka shënuar gol.

Ai e bëri këtë në moshën 19 vjeç e 114 ditë, duke ia kaluar Cristiano Ronaldos, i cili shënoi kundër Greqisë në vitin 2004 në moshën 19 vjeç e 128 ditë.

“Iu uroj lumturi. Pas kësaj ndeshje është një ndeshje kundër Portugalisë. Goli i shënuar nga Mert mund të konsiderohet si goli më i rëndësishëm i Turqisë dhe kampionatit”, tha fillimisht Erdogan.

Menjëherë intervenoi trajneri Vincenzo Montella, duke e ftuar Erdoganin për ndeshjen e dytë. “President, nëse kemi fat, të presim të vish në ndeshje”, tha Montella.

Erdogan pastaj iu drejtua talentit më të madh turk Arda Guler, duke i thënë se presin edhe gola të tjerë.

Kategoritë
Sport