Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia e fuqishme “i pengon lobistët e armëve, lobistët e kaosit, tregtarët e gjakut që ushqehen me lotët e të shtypurve”. Gjatë një fjalimi të mbajtur të premten, Erdogan përshëndeti rolin në rritje të Turqisë në skenën ndërkombëtare.
“Lobistët e kaosit dhe tregtarët e armëve që ushqehen me lotët e të shtypurve janë të shqetësuar nga prania jonë, nga Turqia që po zhvillohet dhe forcohet. Turqia është një pengesë për ata që duan të vazhdojnë me rrotullimin e ingranazheve të vjetra të shfrytëzimit kolonial,” deklaroi Erdogan.
Sa i përket luftës së Turqisë kundër terrorizmit, Erdogan tha se nuk mund të bëjë “asnjë lëshim të vogël” për sa i përket paqes në vend, duke rikonfirmuar vendosmërinë e tij për të ndjekur terroristët deri në fund.
“Nuk kemi lënë asnjë hapësirë për grupet terroriste që të marrin frymë, qoftë brenda apo jashtë kufijve tanë. Türkiye ka kryer më shumë se 35,500 operacione kundër grupeve terroriste, përfshirë organizatën terroriste FETO – grupi që qëndron pas tentativës për grusht shteti në Turqi në vitin 2016 – dhe PKK,” tha Erdogan.
Erdogan foli gjithashtu për investimet e Ankarasë në industrinë e mbrojtjes.
“Edhe një herë pamë sa vitale është kjo industri gjatë sulmeve kibernetike terroriste të organizuara në Liban këtë javë, një sulm në të cilin u vranë dhjetëra dhe u plagosën mijëra njerëz,” theksoi Erdogan.