Erdoğan: Türkiye mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit dhe integrimet euroatlantike

Përpara nisjes së tij për në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndalesa e parë e turneut të tij në Ballkan, që përfshin edhe Serbinë dhe Kroacinë, Erdoğan mbajti një konferencë shtypi në aeroportin Esenboğa.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij ndjek një politikë që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit dhe procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, raporton Anadolu Agency (AA).

Përpara nisjes së tij për në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndalesa e parë e turneut të tij në Ballkan, që përfshin edhe Serbinë dhe Kroacinë, Erdoğan mbajti një konferencë shtypi në aeroportin Esenboğa.

Duke theksuar se sivjet Türkiye shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kroacinë, Erdoğan deklaroi se si Türkiye ata ndjekin një politikë që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit dhe procesin e integrimit në strukturat euroatlantike.

“Institucionet turke mbështesin zhvillimin e Ballkanit”

Presidenti turk tha se ata po përpiqen t’i tejkalojnë tensionet duke i mbajtur të forta lidhjet e tyre me këtë rajon, me të cilin vendi i tij ka lidhje të thella historike, njerëzore dhe kulturore. Duke shpjeguar se TIKA, Instituti Yunus Emre, Fondacioni Maarif, Turkish Airlines, TRT dhe komunat turke mbështesin zhvillimin e këtyre trojeve me projektet që kanë zbatuar, Erdoğan shtoi:

“Ne shohim që Platforma e Lajmeve TRT Balkan, e cila filloi së funksionuari në qershor, mbush një boshllëk të rëndësishëm me transmetimet e saj në gjuhët e rajonit. Ne jemi të kënaqur që institucionet e shtetit tonë, si dhe organizatat joqeveritare dhe bizneset tona, po bëjnë punë që na bëjnë krenarë. Qëndrimi i balancuar dhe i drejtë i vendit tonë vlerësohet nga të gjithë popujt e këtij rajoni. Ne do të vazhdojmë ta kemi këtë qëndrim edhe në periudhën në vijim. Agjenda kryesore e vizitës sime do të jenë përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike në Bosnjë e Hercegovinë, e cila vazhdon më shumë se një vit. Në të gjitha takimet e mia do ta theksoj mbështetjen time për integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH-së, e cila ka rëndësi jetike për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”.

Krahas takimit me zyrtarët, presidenti Erdoğan deklaroi se do të marrë pjesë në forumet e biznesit që do të mbahen në të tre vendet, si tregues i vullnetit të tyre të fortë për të zhvilluar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me rajonin.

“Me këtë rast, unë do ta vizitoj edhe varrin e të ndjerit Alija Izetbegoviq, presidentit të parë të Bosnjë dhe Hercegovinës”, njoftoi Erdoğan.

Pas BeH-së, presidenti i Türkiye-s do të shkojë në Beograd, ku, siç tha ai, do të zhvillojë takim dypalësh me homologun serb Aleksandar Vuçiq dhe takime midis delegacioneve.

“Ne do të diskutojmë marrëdhëniet tona dypalëshe me të gjitha aspektet në takimet tona me z.Vuçiq. Do të diskutojmë gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit dhe hapat e përbashkët që mund të bëjmë. Po ashtu, së bashku me z.Vuçiq, do ta vizitojmë projektin prestigjioz të Beogradit ‘Waterfront’, ku kanë kontribuuar firmat turke dhe 1.500 shtetas tanë”, tha presidenti turk, duke shtuar se temë e takimeve do të jenë edhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Stacioni i fundit i presidentit Erdoğan do të jetë Kroacia, ku ai do të takohet ndaras me homologun Zoran Millanoviq dhe kryeministrin Andrej Plenkoviq. Gjatë këtyre takimeve Erdoğan tha se do të këmbejnë mendime në lidhje me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Kroacia është ndër vendet ku është rritur interesimi i kompanive turke vitet e fundit, janë ndërmarrë projekte të rëndësishme në fusha si turizmi, energjia dhe infrastruktura, si dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur me shpejtësi, tha Erdoğan, duke shtuar se me rastin e vizitës së tij, do të bëhet edhe hapja e xhamisë dhe Qendrës Kulturore Islame në qytetin Sisak të Kroacisë të ndërtuar me mbështetjen e TIKA-s.

Në një pyetje gazetarësh, Erdoğan tha se me presidentin serb Vuçiq do të bisedojnë edhe për tensionet e fundit në Kosovë.

Tensionet me Greqinë: “Mund të hyjmë papritmas një natë”

I pyetur në lidhje me incidentin e vendosjes së avionëve turq në radarët grekë dhe se çfarë hapi pritet nga NATO, Erdoğan deklaroi:

“Ministria jonë e Mbrojtjes i vazhdon këto bisedime si me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ashtu edhe me përfaqësues të tjerë në lidhje me këtë çështje. Ndjeshmëria jonë në lidhje me këtë incident vazhdon me vendosmëri. Greqia është e vetëdijshme për këtë. Duke qenë se ata e dinë këtë, ata kanë filluar të vënë veten në binarë. Besoj i keni dëgjuar deklaratat e mia në javën e fundit për atë vend. Greqia tani e tutje do të vendosë më me kujdes se çfarë marrëdhënie do të ketë me Turqinë. Përndryshe, siç them gjithmonë, e them përsëri, mund të hyjmë papritur një natë”.

Kategoritë
BotaLajme