“Përderisa dërgesat e armëve vazhdojnë, Izraeli do të jetë agresiv. Çdo ditë që Izraeli nuk ndalet, situata në Palestinë dhe Liban përkeqësohet”, tha Erdoğan
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye pa asnjë dyshim ka dhënë përgjigjen më të fortë ndaj mizorive të Izraelit në Palestinë, siç është përgjigja me ndalimin e tregtisë, raporton Anadolu.
Në muajin maj, Ankaraja pezulloi të gjithë tregtinë me Izraelin, si arsye duke theksuar tragjedinë humanitare të përkeqësuar në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë të paktën 43 mijë palestinezë që nga tetori i vitit të kaluar.
“Përderisa dërgesat e armëve vazhdojnë, Izraeli do të jetë agresiv. Çdo ditë që Izraeli nuk ndalet, situata në Palestinë dhe Liban përkeqësohet”, u tha Erdoğan gazetarëve në bordin e avionit presidencial pas vizitave të tij në Riad dhe Baku.
Erdoğan po ashtu theksoi se qeveria turke, në krye me të si president, “nuk vazhdon marrëdhëniet me Izraelin dhe nuk i zhvillon ato”.
“Ne me Izraelin kemi ndërprerë edhe tregtinë, edhe marrëdhëniet, pikë. Ne qëndrojmë me Palestinën në kauzën e saj të drejtë deri në fund”, tha presidenti Erdoğan.
Duke folur për rizgjedhjen e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Erdoğan shprehu shpresë që Trump të ndërmarrë “hapa ndryshe” për rajonin.
“Mesazhet që ne shohim ndonjëherë janë shqetësuese, duhet të shohim kur ai (Trump) të marrë detyrën”, theksoi ai.
Më tej, presidenti Erdoğan foli edhe për çështjen e sigurisë së Türkiyes dhe për angazhimin e vendit lidhur me këtë çështje jashtë kufijve të tij.
“Türkiye zgjati dorën për normalizimin me Sirinë si dhe shprehu besimin se ky normalizim do t’i hapë dyert e paqes dhe stabilitetit në Siri”, tha Erdoğan, duke folur për një pajtim të mundshëm me Sirinë.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se kërcënimi i Izraelit, pikërisht pranë Sirisë, nuk është “një përrallë”, duke shtuar se “zjarri në zonat përreth mund të përhapet shpejt në toka të paqëndrueshme”.
Sipas tij, operacionet ndërkufitare turke janë gjithmonë një opsion për sigurinë e vendit. Ai shprehu gatishmëri për të filluar një operacion në çdo kohë nëse vendi ndihet i kërcënuar.
“Në të ardhmen e Türkiyes nuk ka vend as për terrorizëm, e as për politikë të mbështetur nga terrorizmi. Si Aleanca Popullore jemi në dakordësi të plotë rreth kësaj çështje”, tha ai.
Erdoğan po ashtu theksoi se ka zona ku mbahen terroristët në kufijtë turk, duke u shprehur se pa i pastruar ato dhe “pa tharë moçalin e terrorizmit” nuk është e mundur që të ofrohet një siguri e plotë.