Erdoğan: Turqia dhe Italia do të thellojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin italian, Erdoğan tha se thellimi i bashkëpunimit të industrisë së mbrojtjes midis Türkiye-s dhe Italisë u shërben interesave reciproke

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye dhe Italia do të thellojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin italian, Mario Draghi, presidenti Erdoğan tha se thellimi i bashkëpunimit të industrisë së mbrojtjes midis Türkiye-s dhe Italisë u shërben interesave reciproke.

Erdoğan po ashtu tha se Türkiye dhe Italia janë të gatshme të nënshkruajnë një marrëveshje sa më parë për projektin e sistemit të mbrojtjes ajrore SAMP/T.

“Ne e diskutuam këtë çështje përsëri sot në takimin tonë dhe ministrat tanë të mbrojtjes e trajtuan atë në të njëjtën mënyrë, ne duam të nënshkruajmë ‘SAMP/T’ sa më parë. Nuk ka asnjë problem në marrëveshjen tonë, ne po ashtu kemi një marrëveshje me Macron-in”, tha Erdoğan.

Para konferencës për media, të dy vendet nënshkruan nëntë marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha.

Presidenti Erdoğan njoftoi se dy liderët diskutuan marrëdhëniet midis dy vendeve, duke shtuar se ka falënderuar kryeministrin italian për “mbështetjen e Italisë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona me Unionin”.

“Zhvillimet në rajonin tonë edhe një herë kanë treguar konkretisht se Türkiye është e rëndësishme në shumë fusha për Bashkimin Evropian (BE)”, tha Erdoğan.

Draghi, nga ana e tij, tha se “po përballemi me sfida të mëdha, duke filluar nga lufta në Ukrainë” dhe se dëshiron të “punojnë së bashku për t’i trajtuar ato”.

Italia dhe Türkiye, tha Draghi, janë “të bashkuara në kundërshtimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe në mbështetje të Ukrainës”.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi në vijën e parë për të kërkuar një zgjidhje të negociuar që mund të ndalojë armiqësitë dhe të garantojë paqe të qëndrueshme dhe afatgjate”, shtoi Draghi.

Duke falënderuar Türkiye-n për rolin e saj ndërmjetësues në zhbllokimin e eksporteve të grurit nga Ukraina, kryeministri italian tha se, “Ne duhet t’i çlirojmë këto (eksporte) sa më parë për të shmangur një katastrofë humanitare dhe sociale në vendet më të varfra të botës”.

Në takimin ‘Elmau G7’, tha Draghi, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, përshkroi linjat e një plani mbi të cilin po punon OKB-ja, që parashikon një rol qendror për Türkiye-n.

Kryeministri italian po ashtu tha se stabilizimi në Libi është vendimtar, duke theksuar se Italia dhe Türkiye do të punojnë ngushtë për këtë.

Kategoritë
BotaLajme