Erdoğan: Turqia do të vazhdojë të punojë me të gjithë fuqinë për vendosjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme

“Të gjithë neve na takojnë përgjegjësi të rëndësishme që vitin e ardhshëm të shënojmë përvjetorin e paqes, e jo të luftës”, tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, tha se “Rruga drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, ashtu siç kemi mbrojtur që nga fillimi, mund të hapet me një ekuacion në të cilin të dyja palët e luftës përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, transmeton Anadolu.

Në video-mesazhin e tij të dërguar në Samitin e 4-t të Liderëve të Platformës së Krimesë me rastin e 3-vjetorit të luftës Rusi-Ukrainë, Erdoğan tha se si vend dhe popull janë pranë popullit ukrainas.

“Që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, Türkiye ka ofruar mbështetjen e nevojshme për kauzën e drejtë të Ukrainës në përputhje me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh Erdoğan, duke vazhduar:

“Ashtu siç njoftuam se jemi kundër luftës kur filloi konflikti tre vjet më parë, edhe sot jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes negociatave. Duke vepruar në këtë drejtim, ne vazhdojmë mbështetjen tonë të fortë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Presidenti turk tha se derisa lufta hyn në vitin e katërt, ata shohin se qasjet e bazuara në diplomaci, dialog dhe negociata po marrin vrull.

“Shpresojmë që ky proces të jetë fillimi i përfundimit të konflikteve dhe vendosjes së paqes së qëndrueshme. Rruga drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, ashtu siç kemi mbrojtur që nga fillimi, mund të hapet me një ekuacion në të cilin të dyja palët e luftës përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, theksoi presidenti turk.

Ai duke rikujtuar se javën e kaluar në kryeqytetin Ankara e priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se “Këtë dua ta shpreh me gjithë sinqeritetin tim. Të gjithë neve na takojnë përgjegjësi të rëndësishme që vitin e ardhshëm të shënojmë përvjetorin e paqes, e jo të luftës. Türkiye do të vazhdojë të punojë me të gjithë fuqinë për vendosjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.

Kategoritë
BotaLajme