Erdogan: Turqia mirëpret deklaratat e moderuara të Talibanit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se prania ushtarake e Turqisë në Afganistan do të forcojë dorën dhe do të lehtësojë punën edhe të administratës së re në arenën ndërkombëtare.

Erdogan bëri vlerësime në lidhje me rendin e ditës në një intervistë të përbashkët të transmetuar drejtpërdrejt në disa kanale televizive.

Duke rikujtuar se ai kishte deklaruar edhe më parë se do të mund të pranonte udhëheqësit talibanë, Erdogan tha: “Ne e mbajmë këtë qëndrim ende edhe sot. Ne gjithashtu mirëpresim deklaratat e moderuara dhe të matura të bëra nga udhëheqësit talibanë. Ne jemi gati për të gjitha llojet e bashkëpunimit për mbrojtjen e paqes së popullit afgan, mirëqenien e bashkatdhetarëve tanë turq që jetojnë në këtë vend dhe mbrojtjen e interesave të vendit tonë.”

Edogan nënvizoi se ushtarët turq në Afganistan nuk shërbyen kurrë si forcë luftarake dhe shtoi: “Ne kurrë nuk i kemi parë ose përdorur ushtarët tanë si një fuqi e huaj atje. Prania ushtarake e Turqisë në Afganistan gjithashtu do të forcojë dorën e administratës së re në arenën ndërkombëtare dhe do të lehtësojë punën e saj. (Siguria e Aeroportit “Hamid Karzai”) Tani ne po bëjmë përpjekjet tona, planet sipas realitetit të ri në terren, dhe ne po bëjmë bisedimet tona me ta. Ne vazhdojmë në bisedimet në përputhje me rrethanat.”

“Pavarësisht se kush është në administratë, qëndrimi pranë Afganistanit në kohë të mira dhe të këqija është një kërkesë e besnikërisë ndaj fjalës tonë dhe vëllazërisë sonë”, u shpreh Erdogan.

Talibanët, të cilët rrethuan të dielën kryeqytetin Kabul, pasi Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe forcat qeveritare u larguan nga kryeqyteti, kishin marrë kontrollin e kryeqytetit.

Kategoritë
BotaLajme