Erdoğan: Turqia, një nga vendet më të sulmuara me lajme të rreme

Presidenti turk theksoi se kanalet digjitale po përdoren gjithnjë e më shumë si element i operacioneve psikologjike në tensionet dhe konkurrencën ndërshtetërore.

Türkiye është një nga vendet më të ekspozuara ndaj lajmeve të rreme, ndërsa dezinformimi po përhapet si sfidë gjatë procesit të digjitalizimit, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Türkiye është një nga vendet më të ekspozuara ndaj lajmeve të rreme në botë për shkak të vendndodhjes së saj strategjike, politikave origjinale që ajo ndjek dhe qëndrimit të saj parimor për çështjet rajonale dhe globale”, tha Erdoğan në një video-mesazh në Samitin Stratcom 2022.

Gjatë samitit dyditor që filloi sot në Istanbul, pjesëmarrësit do të trajtojnë tema globale në fushën e komunikimit strategjik. Duke u mbledhur nën temën “Komunikimi strategjik në epokën e pasigurisë”, në këtë platformë do të shfaqen 52 folës nga më shumë se 24 vende, si dhe një audiencë e shquar prej mbi 3 mijë personash.

Erdoğan tha se në vazhdën e digjitalizimit, po ndodhin transformime të mëdha në mjetet e komunikimit dhe burimet e lajmeve, duke shtuar se “ndotja informative” dhe dezinformimi po përhapen si dy sfidat më të theksuara të periudhës aktuale.

Presidenti turk theksoi se kanalet digjitale po përdoren gjithnjë e më shumë si element i operacioneve psikologjike në tensionet dhe konkurrencën ndërshtetërore.

“Hipokrizia gjatë luftës sonë të drejtë kundër organizatave të përgjakshme terroriste, veçanërisht DEASH, FETO dhe PKK, e ka zbuluar vazhdimisht këtë të vërtetë tronditëse. Së fundi, gjuha e disa organizatave ndërkombëtare mediatike që e pamë pas aktit terrorist në rrugën Istiklal ka qenë në favor të autorëve”, shtoi Erdoğan.

Ai tha se nevojitet një kuptim i ri i komunikimit, i përqendruar tek e vërteta.

Më 13 nëntor, grupi terrorist YPG/PKK kreu sulm terrorist në rrugën e frekuentuar Istiklal të Istanbulit, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 81 të tjerë.

Kategoritë
BotaLajme