Erdoğan: Turqia pret që Suedia të ndërmarrë hapa seriozë kundër organizatave terroriste

Presidenti Erdoğan potencoi se Suedia duhet t‘i japë fund mbështetjes së saj politike, financiare dhe të armëve për organizatat terroriste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson, transmeton Anadolu Agency (AA).Në një deklaratë nga Drejtoria e komunikimeve të Presidencës thuhet se në bisedë u diskutua për marrëdhëniet e dy vendeve dhe aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Erdoğan në bisedë vuri në dukje se Turqia deri më tani ka mbështetur gjithmonë politikën e NATO-s me dyer të hapura dhe se solidariteti është një vlerë themelore brenda aleancës si për sigurinë e vendeve anëtare ashtu edhe në aspektin e sigurisë kolektive.

“Turqia ka shprehur prej një kohe të gjatë pakënaqësinë e saj nga kontaktet e Suedisë me individë dhe të ashtuquajtura institucione nën kontrollin e organizatës terroriste PKK/YPG/PYD”, ka deklaruar Erdoğan, duke tërhequr vëmendjen se organizata terroriste FETO vazhdon praninë dhe aktivitetet e saj në Suedi.

Erdoğan potencoi se Suedia duhet t‘i japë fund mbështetjes së saj politike, financiare dhe të armëve për organizatat terroriste.

“Pretendimi se PKK/PYD/YPG lufton me DEASH-in nuk reflekton të vërtetën”, tha Erdoğan duke thënë se presin që Suedia të ndërmarrë hapa konkretë dhe seriozë që tregojnë se ndajnë shqetësimet e Turqisë në aspektin e organizatës terroriste PKK dhe degët e kësaj organizate në Siri dhe Irak.

Gjithashtu, presidenti Erdoğan tha se duhet të hiqen edhe kufizimet që Suedia zbaton ndaj Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes pas operacionit “Burimi i Paqes” për të cilin ata u detyruan ta kryenin për shkak të kërcënimit terrorist nga Siria drejt Turqisë.

Kategoritë
BotaLajme