Errol Musk, gjatë pjesëmarrjes së tij në podcastin “Wide Awake”, kritikoi hapur djalin e tij, Elon Musk, për marrëdhënien e tij me fëmijët.
“Ai nuk ishte baba i mirë. Fëmija i tij i parë kalonte shumë kohë me dado. Vdiq ndërsa dadoja kujdesej për të”, tha ai.
Elon dhe ish-bashkëshortja e tij, Justine Wilson, në vitin 2002 patën një djalë me emrin Nevada. Ai vdiq kur ishte vetëm 10 javësh nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS).
“Eloni do të më vrasë që e thashë këtë, por unë ashtu mendoj. Kjo nuk është mirë. Ata ishin tepër të pasur dhe kishin shumë dado”, shtoi ai.
Moderatori Joshua Rubin e pyeti Errolin nëse beson se djali i tij nuk kalonte mjaftueshëm kohë me fëmijët e tij, dhe ai u përgjigj po.
Gazetarët kanë kontaktuar Elonin për koment mbi pretendimet e Errolit, por ai nuk ka reaguar. Përveç Nevadës, gjatë martesës me Justine, ai pati edhe binjakët Griffin dhe Vivian si dhe djemtë Kai, Saxon dhe Damian.
Me këngëtaren Grimes ka djemtë X Æ A-Xii, i njohur si X, Technus Mechanicus dhe vajzën Exa Dark Sideræl, me nofkën Y. Me Shivon Zilis ka binjakët Strider dhe Azure si dhe një fëmijë tjetër, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Influencerja Ashley St. Clair pretendon se ka lindur fëmijën e Elonit pesë muaj më parë, por ai nuk e ka konfirmuar këtë.