Escobar dhe Lajçak në Prishtinë, Vulin në Moskë

Diplomatët perëndimorë, Escobar dhe Lajçak, kanë zbritur në Prishtinë për të zhvilluar takime me zyrtarët vendas në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel.

Ndërsa këta ndodhen në Prishtinë, ministri i Brendshëm serb Vulin ka mbërritur në Kremlin ku ka kërkuar mbështetje për Kosovën dhe duke deklaruar se Rusia është aleati i Serbisë.

Vetëm pak ditë pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, zyrtari i lartë amerikan Escobar dhe diplomati evropian Lajçak, kanë mbërritur në Prishtinë këtë fillimjavë.

Ned Price ka njoftuar se diplomati amerikan ka mbërritur në Prishtinë në kuadër të dialogut mes palëve.

Ndërkohë, edhe evropianët kanë argumentuar se po përgatiten për një takim tjetër mes palëve në shtator, në Bruksel.

Diplomatët perëndimorë do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë në Kosovë në kuadër të dialogut në Bruksel, ku në fokus është një marrëveshje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë, në fokus të diplomacisë ndërkombëtare është edhe tensionimi i situatës në veri të Kosovës.

Ka qenë vetë shefi i NATO-s që ka reaguar për rastin duke thënë se NATO ka mbi 4000 trupa në Kosovë të përgatitur për çdo lloj skenari.

Kjo vizitë e zyrtarëve të lartë perëndimorë në Prishtinë, vjen në një kohë kur ministri i Brendshëm serb Vulin u drejtua në Moskë për të kërkuar mbështetje për Kosovën, ku edhe vlerësoi kursin e Serbisë krah Rusisë.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë është e nxehtë, ku presidenti Vuçiç ka përsëritur për të disatën herë deklarata të forta.

Deklarata e tij se Serbia do të ndërhyjë për të mbrojtur serbët në Kosovë, ka sjellë edhe reagimin e ambasadorit amerikan Greg Delawie, që shkruan se Serbia është kërcënimi real për paqen në Ballkan.

Kategoritë
BotaLajmeVendi