Vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka shkuar atje për vizitë.
Vetura zyrtare të Ambasadës së Amerikës shihen në oborrin e manastirit.
Kjo vizitë e Escobar vjen vetëm pak orë para së ai të takohet me kryeministrin Kurti.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30.
“1.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.