Është raportuar zhdukja e gazetares britanike dhe korrespondentes së Al Jazeera-s dhe The Times në Brazil

Gazetarja britanike Charlotte Alice Peet (32) është zhdukur në Brazil, ka njoftuar Shoqata e Korrespondentëve të Huaj në këtë vend, duke i bërë thirrje autoriteteve që të intensifikojnë kërkimet.

Peet më 8 shkurt i kishte thënë një miku se ndodhej në São Paulo dhe planifikonte të shkonte në Rio de Janeiro, pas së cilës humbi çdo kontakt me familjen. Disa ditë më vonë, të afërmit e saj njoftuan mikun se nuk po mund të lidhen me të.

Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo ka punuar si korrespondente në Brazil për media të njohura, përfshirë Al Jazeera dhe gazetën britanike The Times.

Shoqata e Korrespondentëve të Huaj në Brazil (ACIE) ka shprehur shqetësimin e saj për zhdukjen e gazetares dhe ka shprehur mbështetjen për familjen dhe miqtë e saj.

Sipas deklaratave të shoqatës, rasti fillimisht u raportua në polici në Rio të hënën, por më pas u transferua te autoritetet kompetente në São Paulo, ku ajo është parë për herë të fundit. Sekretariati për Sigurinë Publike në São Paulo njoftoi se Departamenti i Shtetit për Hetimin e Vrasjeve dhe Mbrojtjen e Personave do të ndihmojë në hetime.

Charlotte kishte punuar dy vite më parë si korrespondente freelance në Rio, pas së cilës u rikthye në Londër, por në nëntor të vitit të kaluar u zhvendos sërish në Brazil.

Sipas informacioneve të disponueshme, përpara zhdukjes ajo kishte kontaktuar një mik në Rio përmes WhatsApp-it duke kërkuar një vendbanim, por miku nuk kishte mundur ta ndihmonte.

Familja e saj i ka dorëzuar policisë braziliane të dhënat e fluturimit dhe një fotografi të pasaportës për të lehtësuar kërkimet.

ACIE dhe bordi drejtues i saj u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që të intensifikojnë kërkimet për të gjetur sa më shpejt gazetaren britanike”, thuhet në deklaratën e presidentit të shoqatës, Edmar Figueiredo, dhe ekipit të tij.

Kategoritë
BotaLajme