Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur kur një shofer të shtunën mbrëma hyri me makinë në turmën e njerëzve në një festival rrugor në Vancouver të Kanadasë.
Shefi i përkohshëm i policisë së Vancouverit, Steve Rai, deklaroi se ky është “dita më e errët në historinë e qytetit”. Ai shtoi se mund të ketë edhe viktima të tjera në ditët në vijim dhe se “është e vështirë të kuptohet diçka kaq e pakuptimtë”.
Festivali kishte mbledhur rreth 100.000 njerëz, shumica prej tyre familje me fëmijë të vegjël.
Festivali i së shtunës ishte ngjarja e dytë vjetore për qytetin, dhe organizatorët kishin promovuar një paradë rrugore, artizanë, aktivitete kulturore dhe ndeshje basketbolli. Grupi muzikor Black Eyed Peas, fitues i gjashtë çmimeve Grammy, ishte kryesuesi i koncertit.
Rai tha se zyrtarët janë të bindur se incidenti nuk ishte akt terrorist dhe se nuk kishte kërcënime të njohura ndaj komunitetit filipinas. Është arrestuar një burrë 30-vjeçar që drejtonte një Jeep të zi Audi.
Mark Carney, kryeministri i Kanadasë, e ndërpreu fushatën për zgjedhjet e përgjithshme për t’iu drejtuar vendit të dielën në mëngjes.
“Këto familje po jetojnë makthin e çdo familjeje. E di që bashkohem me të gjithë kanadezët në pikëllimin me ju. E di që kanadezët janë të bashkuar me ju”, tha ai.
Carney përmendi “Bayanihan”, një vlerë filipinase e komunitetit që ndihmon ata që kanë nevojë.
“Te kjo frymë duhet të mbështetemi në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë. Do t’i ngushëllojmë të pikëlluarit. Do të kujdesemi për njëri-tjetrin. Do të bashkohemi në një qëllim të përbashkët”, shtoi ai.
Carney tha se ishte informuar nga zyrtarët e sigurisë kombëtare të cilët besojnë se sulmuesi ka vepruar i vetëm.