Në Premier Ligën angleze sot duhej të luheshin pesë ndeshje të xhiros së 15-të, por njëra prej tyre është shtyrë, duke lënë tifozët pa ndeshjen e planifikuar për orën 13:30.
Bëhet fjalë për derbin e qytetit mes Everton-it dhe Liverpool-it, që duhej të hapte xhiron e 15-të në Goodison Park, por ndeshja është shtyrë për shkak të stuhisë Darragh, e cila po godet Ishullin.
Lajmin e ka publikuar një nga burimet më të njohura dhe të besueshme, David Ornstein, i cili tha se do të caktohet një datë e re për ndeshjen, dhe së shpejti kjo u konfirmua zyrtarisht.
Ky është një lajm i keq edhe për lojtarët e Fantasy Premier League, pasi pikët e lojtarëve të Liverpool-it dhe Everton-it nuk do të llogariten në këtë xhiro, dhe në vend të tyre do të “aktivizohen” lojtarët që menaxherët kanë në stolin e tyre.
Ndeshjet e para të xhiros së 15-të të Premier Ligës do të zhvillohen sot nga ora 16:00, kur do të përballen Aston Villa me Southampton, Brentford me Newcastle, dhe Crystal Palace me Manchester City, ndërsa në orën 18:30 do të luhet sfida mes Manchester United-it dhe Nottingham Forest-it.
Data e re për derbin mes Everton-it dhe Liverpool-it do të caktohet më vonë.