EULEX për gjendjen në veri: Prani shqetësuese e të armatosurve

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, e ka konsideruar situatën në veri si shqetësuese dhe të tensionuar, në ditën e 11-të që nga vendosja e barrikadave në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjal.

Në koordinim me KFOR-in, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it dhe Njësia Rezervë e Policisë vazhdon patrullimet e saj në terren në veri të Kosovës, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.

“Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë”, thekson EULEX-i për KosovaPress.Learn moreYou can skip this ad in 4Advertisement

Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i masave të tilla parandaluese, por thotë se nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë.

“Ajo që tani është e rëndësishme është që situata të de-eskalohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të përmbahen nga veprimet më provokuese. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, mbrojtja dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale”, thekson EULEX-i.

EUELX thotë se kanë detyra dhe mandate të ndryshme në raport me KFOR-in.

“Duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, Misioni rregullisht e përshtat qëndrimin e tij për të pasqyruar situatën në terren. Nëse kushtet lejojnë përdorimin e sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen të arrijnë në disa lokacione në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe stacionet policore. Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rrugëve, kjo nuk është gjithmonë e mundur”, ka bërë të ditur EULEX-i.

Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, situata në veri ka ngelur e tensionuar. Policia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u sulmuan në përpjekjet e tyre për t’i organizuar zgjedhjet në katër komunat e veriut. Pas tensioneve të shkaktuara, zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Serbët po protestojnë kundër arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së.

Kategoritë
LajmeVendi