Eurodeputetes greke Eva Kaili i hiqen prangat elektronike dhe lihet plotësisht e lirë

Kaili u arrestua dhe u dërgua në burg në muajin dhjetor lidhur me hetimin për korrupsion, ryshfet dhe pastrim të parave, ndërsa më 14 prill ajo doli nga burgu dhe u vendos në shtëpinë e saj pranë PE-së

Për eurodeputeten greke Eva Kaili, figurën më të njohur të hetimit që po zhvillohet në Belgjikë për korrupsion të lidhur me Parlamentin Europian (PE), është marrë vendim që t’i hiqen prangat elektronike dhe të lihet plotësisht e lirë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga prokuroria e Brukselit, theksohet se ka përfunduar mbajtja nën kontroll gjyqësor për Kailin, e cila në kuadër të hetimit u mbajt në burg për rreth katër muaj dhe më pas u lirua me kusht në muajin prill.

Në deklaratë thuhet se Kailit i janë hequr prangat elektronike.

Kaili u arrestua dhe u dërgua në burg në muajin dhjetor lidhur me hetimin për korrupsion, ryshfet dhe pastrim të parave, ndërsa më 14 prill ajo doli nga burgu dhe u vendos në shtëpinë e saj pranë PE-së.

Eva Kaili, ish-zëvendëspresidente e PE-së, është e arrestuara e fundit që lihet e lirë në kuadër të hetimit.

Autoritetet belge që po zhvillojnë hetimin, akuzojnë disa deputetë dhe punonjës të PE-së për përdorimin e ndikimit të tyre në këmbim të ryshfetit për të ndikuar në mekanizmat e vendimmarrjes ekonomike dhe politike në PE në emër të vendeve të tjera. Ndërkohë, Katari dhe Maroku, shtete që përmenden në akuza, i mohojnë pretendimet.

Krahas Kailit, në kuadër të hetimit në muajin dhjetor u arrestuan edhe partneri i Kailit, punonjësi i PE-së Francesco Giorgi, ish-deputeti italian i PE-së, Pier Antonio Panzeri, dhe drejtori i një organizate joqeveritare për çështjet e sundimit të ligjit, Niccolo Figa-Talamanca.

Në kontrollet e ushtruara në disa shtëpi u konfiskuan para në vlerë prej 1,5 milion eurosh.

Autoritetet belge, pas deklaratave të rrëfyera nga Panzeri, zgjeroi hetimin duke përfshirë edhe deputetin belg të PE-së, Andrea Cozzolino, dhe deputetin italian Marc Tarabella, të cilëve më pas iu hoq imuniteti. Tarabella u arrestua në Belgjikë, ndërsa Cozzolino në Itali.

Të gjithë të ndaluarit dhe të arrestuarit gjatë hetimeve u lanë të lirë për t’u mbajtur nën arrest shtëpie me pranga elektronike. Edhe Cozzolino mbahej në arrest shtëpiak në Napoli.

Kategoritë
BotaLajme