Hetimet për rrjetin kriminal shqiptar kanë nisur në vitin 2021 me iniciativën e Prokurorisë Publike të Firences në Itali, thonë autoritetet.
Autoritetet në Shqipëri dhe Itali kanë shpartallhuar një rrjet të trafikut të drogës që dyshohet se ka kontrabanduar në Evropë të paktën 2 tonë kokainë nga Amerika e Jugut, tha sot Europoli.
Operacioni ka çuar në arrestimin e 29 personave, pothuajse tërësisht në Itali. Të dyshuarit dyshohet se kanë fshehur në kontejnerë me fruta ekzotike në anijet që mbërrijnë në portet evropiane nga Amerika e Jugut të paktën 2 tonë kokainë, 20 kilogramë marijuhanë dhe 46 kilogramë hashash që nga nëntori i vitit 2021.
Droga është sekuestruar në operacione të ndryshme, tha Europoli.
Të arrestuarit, të udhëhequr nga dy vëllezër shqiptarë, akuzohen po ashtu për shpërndarjen e drogës në gjithë Evropën.
“Kur droga mbërrinte në Evropë, skuadrat e tërheqjes e hiqnin drogën nga kontejnerët dhe ua shisnin atë rrjeteve të tjera kriminale”, shtoi Europoli.
Forcat e zbatimit të ligjit kanë bastisur lokacione në Shqipëri, Itali, Francë, Spanjë dhe Rumani të martën, duke sekuestruar asete të ndryshme kriminale.
Hetimet për rrjetin kriminal shqiptar kanë nisur në vitin 2021 me iniciativën e Prokurorisë Publike të Firences në Itali, thonë autoritetet.
Po atë vit, u krijua një grup i përbashkët hetimor midis autoriteteve italiane dhe shqiptare.
Hetimi u mbështet nga komunikimet e përgjuara midis organizatave kriminale, të cilat përdornin mjetin e komunikimit celular të koduar SkyECC, shtuan autoritetet evropiane.