Evropa po përballet me presionin mbi sistemet shëndetësore në “dimrin e ashpër”

Rritja e rasteve të gripit dhe koronavirusit, si dhe grevat e punonjësve të kujdesit shëndetësor, kanë luajtur një rol të madh në rritjen e presionit ndaj sistemeve shëndetësore që kanë shkaktuar radhë të gjata në spitale

Disa vende evropiane po përjetojnë një “dimër të ashpër” me presion në rritje ndaj sistemeve shëndetësore mes grevave, mungesës së ilaçeve dhe rritjes së numrit të mbushjes së shtretërve në spitale, raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse Evropa fokusohet në çështje politike dhe ekonomike si lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës, pasiguria rreth çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës, shëndetësia është kthyer në një pikë të rëndësishme të rendit të ditës për shumë vende evropiane.

Rritja e rasteve të gripit dhe koronavirusit, si dhe grevat e punonjësve të kujdesit shëndetësor, kanë luajtur një rol të madh në rritjen e presionit ndaj sistemeve shëndetësore që kanë shkaktuar radhë të gjata në spitale, duke lënë shumë shtretër të zënë më gjatë se sa pritej.

Rritja e rasteve të infeksioneve është përshkruar si “epidemi e trefishtë” në disa vende si Franca, ndërsa Britania e Madhe e etiketoi situatën aktuale një “twindemic”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi më 1 dhjetor 2022 se “epidemia e gripit sezonal fillon herët në Evropë”, ndërkaq vendet tani po përpiqen të lehtësojnë barrën mbi sistemet shëndetësore që janë në rrezik të rritjes së rasteve të virusit sincicial të frymëmarrjes (RSV) dhe COVID-19.

Kjo është situata më e fundit në disa vende evropiane:

– Franca

Në kohën që po luftohet “epidemia e trefishtë”, ajo e koronavirusit, gripit dhe bronkolitit, një spektër i gjerë protestash dhe grevash të mjekëve është kthyer në një nga pikat kryesore të rendit të ditës sa i përket sistemit shëndetësor në Francë.

Duke protestuar për paga dhe kushte më të mira pune, mjekët e përgjithshëm hynë në grevë nga data 26 dhjetor 2022 deri më 8 janar.

Përveç rritjes së numrit të pacientëve, mungesës së stafit dhe sëmundjeve të dimrit që shkaktojnë pritje të gjata në repartet e urgjencës, mungesa e barnave është një tjetër problematikë e vazhdueshme pasi paracetamoli dhe antibiotikët për fëmijë janë të vështira për t’u gjetur në farmaci për shkak të problemeve të furnizimit.

Ministri francez i Shëndetësisë, Francois Braun, më 5 janar tha se Francës i duhen dy muaj që të rimbushë furnizimet me antibiotikë për fëmijët.

– Greqia

Rritja e numrit të pacientëve që vuajnë nga COVID-19 dhe gripi ka çuar në mungesë vendesh në repartet e kujdesit intensiv dhe mjekëve të fëmijëve.

Ekspertët kërkuan marrjen e “masave urgjente parandaluese” për shkak të rritjes së konsiderueshme të infeksioneve të frymëmarrjes.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruan të hënën se nivelet e shtrimit të fëmijëve në shumicën e spitaleve tashmë po arrinin kufijtë e tyre.

Nikos Tzanakis, ekspert i lartë në pulmonologji, paralajmëroi më herët se numri i rasteve javore të gripit mund të jetë deri në 350 mijë.

Greqia përballet me mungesë ilaçesh, ndërsa tashmë i ka bërë thirrje BE-së për gjetjen e “zgjidhjes së përbashkët” për mungesat e barnave që kanë goditur shumë vende anëtare.

Shifrat e fundit në lidhje me normat e zënies së shtretërve në spital duken alarmante. Duke cituar autoritetet shëndetësore, mediat të premten raportuan se më shumë se 80 për qind e shtretërve në repartet e kujdesit intensiv tashmë janë plot.

– Britani e Madhe

Britania sërish është bërë i “sëmuri i Evropës” pasi përjeton një gamë të gjerë grevash të vazhdueshme, ndërsa problemi i sistemit të kujdesit shëndetësor është kthyer në një “krizë”.

Tim Cooksley, kreu i Shoqatës për Mjekësinë Akute, më 2 janar tha se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) është nën një presion shumë më të madh sesa ishte gjatë pikut të pandemisë COVID-19.

Rritja e rasteve të COVID dhe gripit, si dhe grevat e stafit të kujdesit shëndetësor ka hapur rrugën për radhë të gjata në shërbimet e Aksidenteve dhe Urgjencës (A&E), pritjeve të gjata të ambulancave dhe vdekjeve tragjike.

NHS njoftoi se departamentet e A&E po luftojnë për të akomoduar pacientët pasi rastet e gripit u rritën me 47 për qind gjatë javës së parë të 2023.

Shifër tjetër që bie në sy është lista e pritjes për trajtim, e cila është një nga zotimet e kryeministrit britanik, Rishi Sunak, që do të gjejë një zgjidhe. Thuhet se aktualisht janë më shumë se 7 milionë njerëz në listë.

Përveç kësaj, infermierët do të fillojnë një grevë dyditore më 18 janar. Disa ditë më vonë, afër 25 mijë punonjës të ambulancës do të largohen për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në lidhje me pagesën

– Zvicra

Shoqata Zvicerane e Shëndetësisë paralajmëroi më 9 janar për një krizë në repartet e urgjencës pas mbylljes brenda natës së urgjencës në Spitalin Martigny.

“Ky është vetëm fillimi”, tha Vincent Ribordy, bashkë-president i Shoqatës Zvicerane të Mjekësisë Emergjente, duke paralajmëruar për një krizë të thellë.

Ai shtoi se mbyllja e urgjencës tregon se problemi është shtrirë në të gjithë vendin.

Vendimi për mbylljen e departamentit është rezultat i mungesës së personelit të kualifikuar që është “një problem që është i njohur prej disa vitesh”, tha ai në një intervistë.

– Gjermania

Ekonomia më e madhe e BE-së po përballet gjithashtu me mungesën e barnave si rezultat i “problemeve serioze në zinxhirët e furnizimit dhe vonesave në oraret e dërgesave”.

Sipas Shoqatës Gjermane për Hematologjinë dhe Onkologjinë Mjekësore (DGHO), gjithnjë e më shumë vërehet mungesa e barnave të kancerit të gjirit për shkak të pengesave të shpërndarjes.

Gjermanët gjithashtu përballen me mungesë të disa lëngjëve kundër temperaturës ose antibiotikë, pasi ato mezi gjenden në farmaci.

Zyrtarët shëndetësorë muajin e kaluar paralajmëruan për një valë sëmundjesh akute të frymëmarrjes që “po e çojnë sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor në kufijtë e tij”.

“Aktualisht po përballemi me të gjitha sferat e kujdesit shëndetësor që kanë arritur kufijtë e tyre”, u tha gazetarëve muajin e kaluar Gerald Gass, kreu i bordit të Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKG).

Ashtu si në shumë vende të tjera, rritja e infeksioneve në fillim të dimrit, bëri që repartet e kujdesit intensiv të luftonin nën presion.

– Spanja

Ashtu si Britania e Madhe, Spanja është një vend ku pacientët duhet të presin ditë të tëra për t’u shtruar në spitale.

Dhomat e urgjencës janë të tejmbushura, sipas raportimeve të 11 janarit.

Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Carolina Darias, e quajti gjendjen aktuale një “situatë post-pandemike” dhe u kërkoi qeverive rajonale t’u kthehen bisedimeve me stafin e kujdesit shëndetësor për të zgjidhur çështjen e grevës në vazhdim.

Në tetor, mjekët në rajone të ndryshme bënë thirrje për grevë gjatë muajve të parë të 2023 për shkak të kushteve të punës.

Sipas raporteve, Spanja ka nevojë për 30 mijë mjekë dhe 130 mijë infermierë për të ofruar kujdes në kohë.

Për shkak të mungesës së stafit, problemet më serioze po bëhen në kujdesin primar dhe dhomat e urgjencës pasi listat e pritjes po bëhen gjithnjë e më të gjata.

– Austria

Rritjet e rasteve të RSV dhe COVID-19 kanë shtuar presionin mbi sistemin shëndetësor.

Më 9 janar u raportua se dy fëmijë, të cilët nuk vuanin nga sëmundje të mëparshme, vdiqën nga gripi në Spitalin Universitar Kepler në Linz.

Spitali, ku një numër i madh fëmijësh dhe të rinjsh po trajtohen aktualisht për gripin, tha se shkalla e zënies është rritur dhe disa pacientë trajtohen në repartin e kujdesit intensiv.

– Danimarka

Vendi nordik përballet me një “epidemi të trefishtë” pasi gripi, RSV dhe COVID-19 janë duke shënuar rritje në të njëjtën kohë.

Rreth 1.400 njerëz vdiqën gjatë javës së fundit të 2022, të paktën 30 për qind më shumë nga vlerësimet, sipas agjencisë së sëmundjeve infektive të vendit.

Instituti Statens Serum tha se “epidemia e trefishtë” prek veçanërisht popullatën e moshuar.

– Belgjikë

Instituti kombëtar i Shëndetit Publik, Sciensano, më 4 janar shpalli zyrtarisht “epidemi gripi”, ndërsa rastet rriten në nivele të ngjashme me COVID-19.

“Gripi është rikthyer prej një kohe të gjatë në vendin tonë, por tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret që të flasim për një epidemi gripi”, thuhet në njoftim.

Vendi po lufton me viruset e dimrit pasi më shumë se një në pesë pacientë që vizituan mjekët e kujdesit parësor për simptoma të ngjashme me gripin rezultuan pozitivë për grip, sipas raporteve.

Në raportin e saj të fundit javor për COVID, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se ka ende prani të konsiderueshme të COVID-19 në spitale në disa vende.

“Mund të duhet pak më shumë kohë përpara se të bëhet i dukshëm ndikimi i rritjes së ekspozimit të grupeve vulnerabël ndaj viruseve të frymëmarrjes (për shkak të rritjes së përzierjes midis brezave gjatë sezonit të festave)”, thuhet në raport.

Kategoritë
BotaLajme