KB Krusha dhe zonja Fahrie Hoti kanë reaguar në lidhje me një postim të Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, i cili kishte deklaruar se kjo ministri kishte paditur Hotin në vitin 2017.
KB Krusha e ka quajtur shpifje këtë deklaratë. Në një reagim nga KB Krusha kanë thënë se deklaratat se Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh janë të pabaza dhe tendencioze.
Për këtë çështje KB Krusha njofton se ka thirrur konferencë për media për të hënën.
“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë. Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë.
Për këtë arsye, ftojmë të gjitha mediat e Kosovës të marrin pjesë në një konferencë shtypi, ku do të paraqiten fakte dhe argumente që demantojnë këto pretendime të rreme të shpërndara nga z. Peci”, thuhet në reagim.
Gjatë kësaj jave pas reagimeve të shumta se si Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ia ka refuzuar grantin grave të Krushës, e i ka dhënë grant vëllait të deputetes së VV’së, Fitore Pacollit, Ministri Faton Peci u ka hyrë arkivave të Ministrisë e ka nxjerrë disa dokumente.
Peci ka thënë se Fahrie Hoti ishte paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 dhe se i ishte kërkuar kthimi i 17 mijë e 800 eurove që Kooperativa Bujqësore “Krusha” i kishin fituar si grant.“A dini që në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur znj. Fahrie Hoti përkatësisht Kooperativën Bujqësore “KRUSHA” dhe i ka kërkuar kthimin e 17,800 eurove që i kishin fituar si grant? Tash e dini. Media kemi pasur edhe në vitin 2017. Por në lajme nuk e kemi parë asnjëherë. Për rikujtim në vitin 2017, qeverisnin bashkë LDK dhe PDK. Kryeministër ishte Isa Mustafa (LDK). Ministër i Bujqësisë ishte Memli Krasniqi (PDK).”, ka shkruar Peci. /Reporteri.net/