Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka shkruar në rrjetet sociale se “Një familje e shpërngulur nga Gaza ka gjetur një strehë të sigurt dhe të ngrohtë në Shqipëri”
Një familje e shpërngulur në orët e fundit nga Gaza është strehuar në Shqipëri, ndërkohë që në spital po trajtohet një fëmijë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka shkruar në rrjetet sociale se “Një familje e shpërngulur nga Gaza ka gjetur një strehë të sigurt dhe të ngrohtë në Shqipëri”.
“Fëmija 1-vjeç, i cili kishte nevojë të menjëhershme për trajtim mjekësor, është duke u asistuar me shumë sukses nga stafi i QSUNT (Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza'”, ka shkruar Koçiu.
Ajo ka shprehur falënderime për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Bashkimin Evropian dhe disa institucione shqiptare, sipas saj, për kontributet e tyre në këtë mision humanitar.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe zyra e OBSH-së në Shqipëri, ku në një njoftim në rrjetet sociale thekson se mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza, ndërsa bëhet e ditur se babai, vëllai dhe motra e fëmijës janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Tiranë.
OBSH-ja ka shprehur falënderim për kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë “për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare”, si dhe për zyrtarë të tjerë shqiptarë.
“Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit ofron mundësinë e evakuimit të përshpejtuar mjekësor nga Gaza, duke përmendur se disa evakuime mjekësore janë kryer për të marrë kujdes mjekësor.
Në një postim nga llogaria e tij në X lidhur me evakuimet mjekësore në Gaza, Ghebreyesus njoftoi se për 12 pacientë në Gaza janë kryer evakuime mjekësore për të marrë kujdes të veçantë mjekësor në Shqipëri, Francë, Norvegji dhe Rumani.
Katari njoftoi të mërkurën një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund mbi 15 muajve të sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës, ku rreth 46.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.