Më shumë se 20 bosë dhe anëtarë të lartë të mafies siciliane janë liruar nga burgu gjatë tre muajve të fundit, duke shkaktuar frikë te familjet e viktimave të këtyre grupeve kriminale.
Sipas gazetës Guardian, bëhet fjalë për anëtarë të rëndësishëm të Cosa Nostras, të cilët zyrtarisht nuk janë “shkëputur” kurrë nga jeta e mëparshme, pra nuk e kanë braktisur formalisht mafien.
“Lirimi i mafiozëve nga burgu, të cilët gjithmonë kanë refuzuar të bashkëpunojnë me drejtësinë, është gjithmonë jashtëzakonisht i rrezikshëm. Kjo është një goditje vdekjeprurëse në luftën kundër mafies,” tha Salvatore Borsellino, vëllai i gjykatësit legjendar antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra nga Cosa Nostra në vitin 1992.
Në tetor, Raffaele Galatolo, një 74-vjeçar dhe bos mafie nga lagjja Acquasanta në Palermo, u lirua me kushte pas një vendimi të gjykatës që e shpalli atë një “të burgosur shembullor” për sjellje të mirë.
Galatolo dhe vëllai i tij Vincenzo, të dy të dënuar për vrasje, ishin udhëheqës të ashtuquajturës “dhoma vdekjeprurëse,” një dhomë ku viktimat mbyteshin me urdhër të bosëve të mafies siciliane të asaj kohe, Salvatore Totò Riina. Pas vdekjes së Vincenzos, Raffaele mbeti trashëgimtari i vetëm i fronit të familjes mafioze Acquasanta.
Disa ditë më parë, Giuseppe Corona, i cili ishte në paraburgim që nga viti 2018 në një burg me masa të rrepta sigurie të destinuara për bosët mafiozë, u lirua pasi kishte kaluar periudhën maksimale të paraburgimit përpara gjykimit, i cili ishte vazhdimisht i shtyrë.
Në fillim të tetorit, Gjykata e Apelit në Palermo liroi nëntë bosë mafiozë nga Trapani për të njëjtën arsye. Ata ishin të lidhur me ish-bosin e mafies siciliane, Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua në janar të vitit 2023 pas 30 vitesh në arrati dhe vdiq në shtator të po atij viti.
Prokurori i Përgjithshëm i Palermos, Maurizio de Lucia, kohët e fundit bëri një apel për të ruajtur fokusin në luftën kundër mafies. Hetuesit kanë frikë nga mundësia që Cosa Nostra, pas një periudhe të gjatë rënieje, mund të përpiqet të riorganizojë të ashtuquajturën Kupola, organin e saj drejtues.
Frika e prokurorëve dhe familjeve të viktimave buron kryesisht nga fakti se shumë prej këtyre bosëve mafiozë kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet, gjë që sinjalizon interesin e tyre për të vazhduar të jenë pjesë e mafies.