Faturat e tatimit në pronë alarmojnë qytetarët

Dhjetëra qytetarë kanë reaguar në rrjete sociale të hënën në mbrëmje dhe të martën në mëngjes, pasi faturat e tatimit në pronë kanë mbërritur deri në dyfish në krahasim me vlerësimin e vitit të shkuar. Komuna e Prishtinës ka thënë se ka ndryshuar vlerësimi i pronave në Prishtinë, e se vlerësimin e ka bërë Ministria e Financave.

Nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, ka thënë se Prishtina ka kërkuar nga MF-ja rivlerësim, “sidomos në këtë kohë krize”.

Ndërkaq në një reagim të Komunës së Prishtinës thuhet se bazuar në Ligjin në fuqi për tatimin në pronën e paluajtshme “Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave”.

Qytetarët kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të treguar se prona e tyre, papritmas, në vitin 2023 ka përjetuar dyfishim të vlerës e tash do të duhet të paguajnë dyfishin e tatimit në pronë. Ka pasur raste kur qytetarët kanë thënë se fatura ka ardhur deri në 200 për qind më e lartë se ajo e vitit të shkuar.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi