FBI bastisi banesën e drejtorit të platformës së basteve që parashikoi fitoren e Trumpit

Agjentët e FBI-së hynë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në banesën e CEO-së së platformës Polymarket, Shayne Coplan, në New York, vetëm një javë pasi platforma e basteve parashikoi me sukses fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, raporton The New York Post (NYP).

Sipërmarrësi 26-vjeçar u zgjua në orën 6 të mëngjesit nga autoritetet amerikane, të cilat kërkuan që të dorëzojë telefonin dhe pajisjet e tjera elektronike, tha një burim i afërt me çështjen për NYP.

“Kjo është forma më e keqe e teatrit politik. Ata mund t’i drejtoheshin avokatit të tij dhe të kërkonin çfarëdo që dëshironin. Në vend të kësaj, inskenuan të ashtuquajturën bastisje për t’i dhënë mediave një lajm që do të përdoret për qëllime politike,” tha burimi për NYP.

Coplan nuk mori një arsye për bastisjen, por burimi dyshon se bëhet fjalë për hakmarrje politike, duke pasur parasysh që Polymarket parashikoi saktë fitoren e lehtë të Trumpit ndaj nënpresidentes Kamala Harris – një parashikim i ndryshëm nga sondazhet tradicionale.

Burimi gjithashtu spekuloi se qeveria ndoshta po përdor raportet e mediave liberale që akuzojnë Polymarket për manipulim të tregut dhe favorizim të Trumpit.

“Është e qartë se bëhet fjalë për hakmarrje politike nga administrata në largim kundër Polymarketit, sepse ata ofruan një treg që parashikoi saktë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024,” shtoi burimi për NYP.

Coplan nuk u arrestua dhe nuk u akuzua, konfirmoi një zëdhënës i Polymarket për NYP të mërkurën në mbrëmje.

“Polymarket është një treg plotësisht transparent i parashikimeve që ndihmon njerëzit e zakonshëm të kuptojnë më mirë ngjarjet që janë të rëndësishme për ta, përfshirë zgjedhjet,” tha zëdhënësi.

Polymarket nuk lejon baste në SHBA, megjithëse përdoruesit mund të anashkalojnë ndalimin duke hyrë në faqe përmes VPN-së.

Hetimi i FBI-së vjen një javë pas deklaratës së Coplanit se Polymarket planifikon të rikthehet në tregun amerikan.

Platforma – e cila në mëngjesin para zgjedhjeve tregonte se shanset e Trumpit për të fituar ishin 58,6 për qind, ndërsa ato të nënpresidentes Kamala Harris ishin 41,4 për qind – gjithashtu ka lidhje me Trumpin dhe aleatët e tij.

Miliarderi dhe mbështetësi i Trumpit, Peter Thiel, ka mbledhur rreth 70 milionë dollarë fonde për Polymarket, sipas një raporti të Forbes më herët këtë vit.

Coplan gjithashtu është fotografuar në shoqëri të afërt me Donald Trump Jr.

Në vitin 2022, kjo platformë online e basteve u detyrua të pezullojë operacionet në SHBA dhe të paguajë një gjobë prej 1,4 milionë dollarësh për të zgjidhur akuzat e Komisionit Amerikan për Tregti me Mallra (CFTC) për mungesë të regjistrimit në këtë agjenci.

Kategoritë
BotaLajme