FBI gjeti 2.400 dokumente të fshehura mbi atentatin ndaj John F. Kennedy

Një ekip i FBI-së ka zbuluar 2.400 dokumente të cilat nuk ishin bërë kurrë publike më parë në lidhje me atentatin ndaj ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, raporton Axios.

Sipas këtij portali amerikan, këto dokumente nuk ishin të disponueshme më herët dhe u zbuluan pas ndjekjes së një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Donald Trump, i cili kërkonte publikimin e të gjithë dokumenteve të lidhura me vrasjen e këtij lideri amerikan.

Megjithatë, përmbajtja e dokumenteve të reja ende mbetet e mbuluar me mister, dhe zbulimi i tyre nuk ka hedhur ende dritë të plotë mbi ngjarjen. Fakti që këto dokumente nuk ishin parë kurrë më parë pritet të bëhet një çështje e rëndësishme për Trumpin dhe aleatët e tij, të cilët gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë kanë kundërshtuar vazhdimisht burokratët brenda administratës amerikane.

Të gjitha dokumentet që lidhen me atentatin ndaj Kennedy-t do të bëhen publike gradualisht, por ekspertët besojnë se ato nuk do të arrijnë të zbulojnë plotësisht të vërtetën mbi rastin.

Për shkak të vonesave të mëparshme në publikimin e dokumenteve dhe natyrës së ndjeshme të vrasjes së një presidenti amerikan, janë ngritur shumë teori konspirative, përfshirë edhe pretendimet se qeveria amerikane mund të ketë qenë e përfshirë në këtë ngjarje. Megjithatë, publikimi i këtyre dokumenteve vështirë se do të arrijë të provojë ndonjë nga këto teori.

Trump e kishte ngritur këtë çështje gjatë mandatit të tij të parë, por vendosi të përshpejtojë publikimin e dokumenteve përmes një urdhri ekzekutiv menjëherë pas fillimit të mandatit të tij të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Kategoritë
BotaLajme