Federata belge e futbollit kërkon trajner nëpërmjet konkursit online

“RBFA është në kërkim të një trajneri të ekipit kombëtar me kohë të plotë që di të fitojë”, thuhet në konkursin e shpallu”

Federata belge e futbollit (RBFA) shpalli konkurs për aplikime online për të angazhuar një trajner të ri të kombëtares, pas zhgënjimit të pësuar në Kupën e Botës 2022.

“RBFA është në kërkim të një trajneri të ekipit kombëtar me kohë të plotë që di të fitojë”, thuhet në një deklaratë, duke shtuar se trajneri i ri duhet të jetë “jashtëzakonisht ambicioz”, me përvojë të nivelit të lartë ndërkombëtar, njohuri taktike të futbollit dhe “aftësitë e duhura personale”.

Në konkursin e shpallur theksohet se federata dëshiron një “fitues serial”, me përvojë në menaxhimin e yjeve të futbollit për të krijuar një “grup të ngushtë” dhe për të integruar lojtarë të rinj.

Gjithashtu theksohet se trajneri i ri do të punonte në harmoni me teknologjinë për zhvillimin e lojtarëve.

“Federata e futbollit është në kërkim të një eksperti taktik që mbështet zgjedhjet e tij me të dhëna, teknologji dhe parametra objektivë, si dhe mbështetet në ekspertizën dhe strukturën sportive të RBFA-së”, thuhet në konkurs.

Aplikimet duhet të dorëzohen përpara datës 10 janar 2023, pas së cilës një grup pune do të nisë procesin e përzgjedhjes.

Roberto Martinez, i cili kishte qenë trajner që nga viti 2016, në Kupën e Botës të mbajtur në Rusi në vitin 2018, i udhëhoqi belgët drejt rezultatit më të mirë ndonjëherë, duke përfunduar në vendin e tretë.

49-vjeçari u largua nga posti i tij më 2 dhjetor, pasi u eliminuan në fazën e grupeve nga Kupa e Botës 2022 që po mbahet në Katar.

Kategoritë
Sport