Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve e pezullon Unionin rus të Gazetarëve

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka pezulluar në mënyrë të menjëhershme Unionin rus të Gazetarëve, lidhur me veprimet e tij që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe për rolin që ka luajtur sa i përket territoreve të aneksuara ukrainase.

IFJ, që përfaqëson mbi 600.000 punëtorë të mediave në mbarë botën, tha se anëtarësimi i Unionit rus është pezulluar pas është bërë një hetim dhe është votuar për pezullim në komitetin ekzekutiv më 22 shkurt.

Votimi u zhvillua pasi Unioni rus i Gazetarëve refuzoi të rishqyrtonte vendimin që të themelonte degë të tij në katër rajone të aneksuara nga Rusia, tha IFJ.

“Veprimet e Unionit rus të Gazetarëve për të themeluar katër degë në territoret e ankesuara ukrainase qartësisht kanë thyer…. solidaritetin dhe kanë nxitur ndarje në mes të unioneve simotra”, tha presidenti i IFJ-së, Dominique Pradalié.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Kremlini në mënyrë të paligjshme aneksoi rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës.

Separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 kanë kontrolluar disa pjesë të Donjeckut dhe Luhanskut.

IFJ tha se do të vazhdojë të mbështesë gazetarët e pavarur brenda dhe jashtë Rusisë dhe shtoi se do të ndihmojë edhe gazetarët ukrainas.

Sipas IFJ-së, Ukraina ishte shteti më vdekjeprurës për gazetarët më 2022, pasi 12 punëtorë të mediave u vranë duke kryer punën e tyre.

Kategoritë
BotaLajme