Federata Palestineze e Futbollit thirrje për pezullimin e Izraelit nga FIFA

Presidenti i FIFA-s, Infantino tha se Këshilli do të vendosë deri më 20 korrik mbi kërkesën e Federatës Palestineze të Futbollit për të pezulluar Izraelin

Federata Palestineze e Futbollit bëri thirrje për pezullimin e menjëhershëm të Izraelit nga organi botëror i futbollit, FIFA, transmeton Anadolu.

Gjatë Kongresit të 74-të në Bangkok, presidenti i federatës Jibril Rajoub doli në skenë për të kërkuar pezullimin e menjëhershëm të Izraelit nga futbolli ndërkombëtar.

“Sa më shumë duhet të vuajë familja e futbollit palestinez që FIFA të veprojë me të njëjtën ashpërsi dhe urgjencë si në raste të tjera?”, pyeti Rajoub, duke shtuar: “A i konsideron FIFA disa luftëra si më të rëndësishme se të tjerat dhe disa viktima më të rëndësishme?”, shtoi ai.

“Unë ju kërkoj të qëndroni në anën e duhur të historisë. Vuajtjet e miliona njerëzve, përfshirë mijëra futbollistë, meritojnë po aq. Nëse jo tani, atëherë kur?”, tha Rajoub.

“Z.president, topi është në fushën tuaj”, theksoi ai.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se një vlerësim ligjor i akuzave të Federatës Palestineze të Futbollit do të ndërmerret urgjentisht.

“FIFA do të mandatojë që tani një ekspertizë të pavarur ligjore për të vlerësuar tri kërkesat e bëra nga Federata Palestineze e Futbollit dhe të sigurohet që statusi dhe rregulloret e FIFA-s të zbatohen në mënyrën e duhur”, tha Infantino.

Infantino tha se FIFA do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit deri më 20 korrik për të shqyrtuar gjetjet ligjore dhe për të vendosur për veprimet e mëvonshme. “Për shkak të urgjencës së situatës, një Këshill i jashtëzakonshëm i FIFA-s do të mblidhet dhe do të zhvillohet para datës 20 korrik të këtij viti për të shqyrtuar rezultatet e vlerësimit dhe për të marrë vendimet e duhura”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeSport