Federata Rumune e Futbollit: Do të bisedojmë me Qeverinë në lidhje me ndeshjen kundër Kosovës

Federata Rumune e Futbollit ka reaguar pasi në ndeshjet futbollistike për Euro 2024, vendi i tyre u klasifikua në grupin I, pjesë e të cilit është edhe Kosova, të cilën Rumania nuk e njeh akoma si shtet.

Në një artikull të publikuar nga mediumi rumun Gsp.ro, u bë e ditur se kjo federatë që me fillim po i jep kahje politike ndeshjes me Kosovën, do të fillojë diskutimet me Qeverinë e Rumanisë lidhur me këtë përballje.

“Marrë në konsideratë faktin që Rumania dhe Kosova janë në një grup në kualifikimet për Euro 2024 dhe duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, thuhet në përgjigjën e Federatës Rumune për mediumin e lartcekur.

Kosova do të jetë një nga kundërshtarët e Rumanisë në Grupin I të kualifikimeve për EURO 2024, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Kategoritë
Sport