Feja në Shqipëri dhe ‘fajet’ e Turqisë

Nga Maliq Hasa

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 nuk ishte fundi i bashkëpunimit të shqiptarëve me turqit. Muslimanët shqiptarë për çështjen fetare qëndruan nën varësinë e Stambollit deri në vitet 1921-1922. Zgjatja e kësaj ndarjeje ishte deri në këtë vit pasi shkëputja e institucioneve kërkonte kohën e saj.
Pas shpërbërjes së Shtetit Osman, Sulltanët e fundit përmes fermanëve të posaçëm kaluan pronat e tyre në vendin tonë në varësi të komuniteteve fetare dhe në shumicën e rasteve në varësi të institucionit që më vonë do të quhej Komuniteti Musliman Shqiptar.
Rreth 30-40% e territorit shqiptar ishte shpallur pronë ‘vakëf’, gjë kjo që do e bënte KMSH-në pa dyshim institucionin më të fortë financiar në vend. Patjetër që kjo ishte e qëllimshme pasi shpallte në një farë mënyrë pavarësinë ekonomike të tyre në këto vende. Ashtu sikur ta dinte Stambolli i atëhershëm fatin e muslimanëve të sotëm në vendet e Ballkanit dhe si rrjedhojë u mundua që ti jepte sa më shumë krahë…
Kohët kaluan dhe komunizmi i ardhur me qëllim ‘spastrimin kulturor’ të trashëgimisë fetare dhe pronësitë e saj bëri punën e vet. Në vitin 1990 me rihapjen e fesë të gjithë njerëzit u gëzuan, por askush nuk e kishte mendjen tek arma e madhe e komuniteteve, pronat e tyre që ishin dhe garancia e vetme për mbarëvajtjen institucionale.
Pas 90’ës nuk ishte më komunizmi, por pjella e tyre ajo që vazhdonte të thumbonte, vidhte dhe uzurponte ato pak prona të mbetura nga gjithë ajo trashëgimi që e bënte KMSH-në si institucionin më me vlerë në vend. Dehja e lirisë së fesë dhe adhurimit kishte lënë larg vëmendjes, truket dhe mega vjedhjet e zyrtarëve të atashuar nga qarqe anti-fetare si dhe hajdutë për të mbushur xhepat e tyre.
Sikur nuk mjaftonin hektarë të tëra toka, prona pa fund në të gjithë territorin që vidheshin dhe tjetërsoheshin dhe vazhdojnë të tjetërsohen, KMSH ishte e uzurpuar edhe nga ujqër që merrnin dhe marrin përqindje të majme nga fondet e ardhura nga jashtë me qëllim lehtësimin e shërbimeve fetare. Gropa më e madhe e zezë është ndërtimi i faltoreve ku shumë shpejt doli në pah vjedhja më e pështirë, e cila doli në dritë bashkë me prishjen vetvetiu të xhamive të ndërtuara nga donatorë të huaj. Më shumë se 50% e fondeve shkonin dhe akoma vazhdojnë të shkojnë në xhepat e ndërmjetësve, ndërtuesve dhe përqindje-marrësit zyrtarë…
Edhe Turqia si shumë vende të tjera që kishin si synim lehtësimin e dhënies së shërbimeve fetare në vend kontribuoi dhe vazhdon të kontribuojë në shumë fusha si arsimi, shëndeti, siguria, infrastruktura, botimet etj. Vetëm vitet e fundit shteti turk ka ndihmuar në restaurimin e disa xhamive historike, punë kjo që i shërben vendit tonë jo vetëm për shërbimet fetare, por edhe për rritjen e numrit të turistëve në vend.
Siç thotë dhe populli, ‘nëse rri dhe nuk flet, nuk ke si të gabosh’… Turqia në fakt ka shumë ‘faje’ në këtë drejtim, por do të mundohem të radhis vetëm disa prej tyre: Fajet e saj nisin që në 1990-ën ku Turqia ishte nga vendet e para dhe më aktive për rimëkëmbjen e arsimit fetar në vend.
– Ishte fajtore për dërgimin e dhjetëra imamëve dhe thirrësve në të gjithë territorin e Shqipërisë për nisjen e riteve fetare.
– Ishte fajtore sepse nisi të sponsorizojë dhe kontribuojë për arsimimin e kuadrove të para të medreseve në vend.
– Ishte fajtore sepse edhe pse vetë ishte në krizë ekonomike i qëndroi pranë muslimanëve të Shqipërisë në vitet 1997.
– Ishte fajtore sepse themeloi medrese serioze nga të cilat dolën qindra mijëra intelektualë.
– Ishte fajtore sepse kërkoi në vitin 2007 e më pas me ngulm dhe disa herë që të japë kontribut për pagesën e imamëve në Shqipëri.
Ajo jo vetëm që ishte fajtore dje që hodhi themelin e Xhamisë së Madhe të Tiranës, një ëndërr dhe vepër e nevojshme për të gjithë besimtarët e Shqipërisë, por është edhe sot fajtore që vazhdon pa ndërprerje të japë kontributin e saj për vazhdimësinë e arsimit fetar, për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e fesë në vend.
Që të shuajmë kureshtjen e atyre që me zor presin këtë shkrim, Turqia nuk është fajtore se ka kontribuar vetëm në çështjet fetare në Shqipëri, pasi ajo është fajtore për modernizimin e ushtrisë shqiptare, për kontributin në modernizimin e policisë, për më shumë se 600 projekte me vlerë miliona dollarëshe të Agjencisë Turke TIKA në ndihmë të të gjithë shqiptarëve. Është një fajtore e madhe dhe e pafalshme për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
E sidomos për spitalin e Fierit dhe shtëpitë e tërmetit në Laç… Mos harrojmë se Turqia është shumë fajtore edhe për kontributin e dhënë për ndërtimin e shumë veprave infrastrukturore në vend. Ajo është edhe më fajtore kur bëhet fjalë për ndihmat humanitare si dhe ato shëndetësore gjatë pandemisë…
Ja që ‘fajet’ e saj nuk kanë të sosur, por ne i rikthehemi edhe njëherë temës sonë. Kur flasim për qindra dhe mijëra ‘faje’ të Turqisë në këtë vend nuk ka se si të mos flasim për hajninë që bëjnë drejtuesit fetarë në këtë vend. Shitja dhe tjetërsimi i pronave që ende dhe sot e kësaj dite vazhdon, uzurpimi i institucioneve dhe përdorimi i tyre si mashë e organizatave okulte, aneksimi i të ardhurave vetëm për përçarje, puna për dobësimin e thirrjes në İslam janë vetëm një presje nga një roman që mund të shkruhet për fajin e vërtetë të ‘shejtanëve’ që sot mundohen të duken si ‘melekë’ në sytë e qeverisjes dhe botës.
Muslimanët e Shqipërisë kanë nevojë më shumë se kurrë për gjithë përfshirje në institucione. Kanë nevojë për transparencë dhe jo dyfytyrësi. Kanë nevojë për ‘faje’ si ato që Turqia dhe shumë shtete muslimane bëjnë dhe jo vjedhjet në mes të ditës që bëhen nën petkun e predikimit dhe shërbimit fetar.
Predikimi i disa pseudo imamësh dhe drejtuesish se Turqia është fajtore për shumë gjëra që po ndodhin në Shqipëri nuk është gjë tjetër vetëm se një dyfytyrësi dhe vjedhje nga ana tjetër e miliona dollarëve nën kurrizin e besimtarëve shqiptarë.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
LajmeOPINIONE