Fëmijët e Musk luajnë një rol kyç në paraqitjet e tij në ngjarje të rëndësishme

Fëmijët e miliarderit Elon Musk kanë qenë në vende që shumë njerëz kurrë nuk do t’i shohin. Nga takimet me liderë botërorë deri te dhomat e kontrollit të lëshimeve të SpaceX, fëmijët e Musk janë shfaqur si asistentë të përhershëm në sipërmarrjet e tij teknologjike, të biznesit dhe tani edhe në politikë.

Ata kanë filluar të paraqiten shpesh në publik, veçanërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump e ftoi miliarderin dhe bashkëthemeluesin e Tesla-s për të drejtuar Departamentin e sapoformuar për Efiçencën e Qeverisë.

Të mërkurën, djali pesëvjeçar i Musk u pa duke qëndruar në këndin e një tavoline në Zyrën Ovale, i veshur me një pallto ngjyrë kafe të errët dhe një këmishë.

Të enjten, pesëvjeçari X dhe vëllezërit e motrat e tij shkëmbyen dhurata me kryeministrin indian Narendra Modi, ndërsa i ati diskutonte për teknologjinë dhe inovacionin me liderin e huaj.

Musk është parë shpesh me fëmijët edhe para ardhjes së tij në Uashington, por shumë njerëz pyesin pse ai i merr fëmijët në takime kaq të rëndësishme.

“Përfshirja e fëmijëve në shumë paraqitje publike është kryesisht një lëvizje politike, një mënyrë për të ndikuar në mënyrën se si publiku e sheh atë,” thotë Kurt Braddock, profesor i komunikimit publik në një universitet amerikan.

Megjithatë, Braddock e konsideron si të pazakontë vendimin për të sjellë djalin pesëvjeçar të Musk në Zyrën Ovale.

Gjatë një konference 30-minutëshe për shtyp, djaloshi u pa i mërzitur dhe në një moment, sipas BBC, i tha dikujt në dhomë “mbylle gojën”.

Braddock beson se përfshirja e fëmijëve në paraqitjet publike është një taktikë për të tërhequr vëmendjen, gjë që është në favor të Trump dhe Musk.

Jon Haber, konsulent i komunikimit strategjik dhe ish-këshilltar në pesë fushata presidenciale, tha se fëmijët e Musk, të cilët shpesh krijojnë momente virale, janë të dobishëm për Trump.

Ish-e dashura e Musk dhe nëna e pesëvjeçarit, Grimes, e ka kritikuar paraqitjen e djalit të saj në Zyrën Ovale.

Në një intervistë për Vanity Fair në vitin 2022, ajo tha se nuk e mbështet ekspozimin e djalit të saj në qendër të vëmendjes.

Megjithatë, Musk është mësuar të marrë fëmijët e tij në ngjarjet që janë të rëndësishme për të. Për shembull, në vitin 2015, pesë nga fëmijët e tij u panë duke vrapuar nëpër korridoret e një fabrike të Tesla-s.

Edhe pse shpesh duhet të presin me orë të tëra, prania e fëmijëve të Musk ka krijuar një atmosferë më të lirshme, larg eventeve të rrepta dhe formale që organizojnë zakonisht kompanitë e tjera.

Musk ka dymbëdhjetë fëmijë nga tre gra të ndryshme.

Djali i tij më i njohur, X Æ A-Xii, ka pseudonimin “Lil X”, i njëjti simbol që Musk përdori kur riemërtoi Twitter-in pas blerjes së platformës.

Musk e ka quajtur pesëvjeçarin e tij “njeriun e tij për mbështetje emocionale”.

Biografi i tij, Walter Isaacson, ka thënë në një podcast se Musk është i përkushtuar ndaj fëmijëve të tij në një mënyrë “pothuajse obsesive”.

“Me fëmijët e tij, me të dashurat e tij, me gratë e tij – ai ka të njëjtin intensitet që ka në çdo aspekt tjetër të jetës së tij,” ka thënë Isaacson.

Kategoritë
BotaLajme