Fëmijët sirianë të lindur në Türkiye do të shohin për herë të parë atdheun e tyre

Sirianët e strehuar në Türkiye gjatë luftës civile në vendin e tyre, vazhdojnë të kthehen në atdheun e tyre me rënien e regjimit të Asadit.

Fëmijët sirianë që kanë lindur në Türkiye dhe nuk e kanë parë kurrë vendin e tyre, për herë të parë shkojnë në atdheun e tyre pas rrëzimit të regjimit 61-vjeçar Baath, raporton Anadolu.

Sirianët e strehuar në Türkiye gjatë luftës civile në vendin e tyre, vazhdojnë të kthehen në atdheun e tyre me rënien e regjimit të Asadit. Fëmijët që vijnë me familjet e tyre në pikën kufitare të Kilis Öncüpınar, kalojnë në vendin e tyre pasi përfundojnë procedurat në Qendrën e Riatdhesimit pranë Administratës Provinciale të Imigracionit.

Mahmod Hamido, i cili erdhi në Türkiye 11 vite më parë me gruan e tij Sibel, fillimisht shkoi në Istanbul dhe më pas në qytetin Kayseri. Gjatë kësaj periudhe çifti punoi në punë të ndryshme dhe sollën në jetë 5 fëmijë, Ali (10), Zekeriya (7), Rukiye (3), Kamer (2) dhe Cemil (1).

Fëmijët e familjes Hamido të cilët nuk kanë qenë kurrë më parë në Siri, për herë të parë përjetojnë emocionin e shkuarjes në atdhe.

Mahmod Hamido tha për gazetarin e AA-së se kur filloi lufta civile në Siri ai sapo ishte martuar dhe se u strehua në Türkiye me bashkëshorten e tij. Ai thotë se e do shumë Türkiyen dhe se me fëmijët e tij do të shkojnë në Halep dhe se është i lumtur që po ribashkohet me vendin e tij.

Hamido tha se në Halep ka të afërmit e tij.

“Kam 5 fëmijë. Këtu unë u bëra me fëmijë. Fëmijët e mi do të shkojnë për herë të parë në Siri dhe jam shumë i lumtur për këtë sepse po kthehemi në Siri, në atdheun tonë. Türkiye na ka pritur krahëhapur dhe kjo është shumë mirë, por atdheu ynë është më i bukur për ne. Zoti i bekoftë të gjithë”, u shpreh ai.

Ndërsa Valid El Sheikhi tha se kishte ardhur në Gaziantep me familjen e tij 12 vjet më parë. Duke shpjeguar se këtu ka punuar në një fabrikë tekstili, El Sheikhi tha se këtu është martuar me gruan e tij Nur dhe se kanë 3 fëmijë të quajtur Abdulaziz (8), Hani (2) dhe Halid (1).

– “Nuk do ta harrojmë Türkiyen, ajo na priti krahëhapur”

El Sheikhi thotë se toka e atdheut është shumë e bukur dhe se fëmijët e tij do ta shohin Halepin për herë të parë.

“Fëmijët tanë janë të lumtur dhe ne jemi shumë të lumtur. Është atdheu ynë. Këtu kemi jetuar 12 vjet. Falënderojmë Türkiyen. Së fundmi do të kthehemi sepse atje është atdheu ynë. Fëmijët e mi nuk e kanë parë kurrë atdheun e tyre, do të shkojnë atje për herë të parë. Ne nuk do ta harrojmë Türkiyen, ajo na priti krahëhapur, por tashmë po kthehemi. Dajat dhe xhaxhallarët e mi janë atje, fëmijët e mi do t’i shohin për herë të parë ata. Në Siri tashmë do të jetë një jetë dhe jetesë e re. Gjithçka për ne do të jetë fillim i ri”, tha El Sheikhi.

Kategoritë
BotaLajme