Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se Turqia nuk dëshiron përplasje me Izraelin në Siri, pas sulmeve të përsëritura izraelite ndaj objekteve ushtarake në këtë vend, të cilat, sipas tij, kanë minuar aftësinë e qeverisë së re siriane për t’iu përgjigjur kërcënimeve.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Fidan tha se veprimet e Izraelit në Siri po hapin rrugën për një paqëndrueshmëri të ardhshme në rajon.
“Nëse administrata e re në Damask dëshiron të ketë ‘disa mirëkuptime’ me Izraelin, i cili, njësoj si Turqia, është fqinj i Sirisë – atëherë kjo është çështje e tyre,” shtoi Fidan.
Izraeli ka ndërmarrë një sërë sulmesh ajrore ndaj infrastrukturës ushtarake brenda Sirisë që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024.
Këto sulme kanë çuar në rritje të tensioneve mes Jerusalemit dhe Ankarasë, ku të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po përpiqen të vendosin dominim në rajon.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, akuzoi Turqinë se po përpiqet ta shndërrojë Sirinë në një “protektorat turk”.