FIFA po heton hyrjen e kuzhinierit turk Nusret në fushë pas finales së Botërorit

Një zëdhënës i FIFA-s ka thënë për Sky Sports se federata ndërkombëtare e futbollit po kryen hetim mbi atë se “si individë të caktuar fituan qasje të paligjshme në fushë pas ceremonisë së mbylljes në stadiumin Lusail më 18 dhjetor”

FIFA ka nisur hetim mbi hyrjen e kuzhinierit të famshëm turk Nusret Gökçe në fushë pas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një zëdhënës i FIFA-s ka thënë për Sky Sports se federata ndërkombëtare e futbollit po kryen hetim mbi atë se “si individë të caktuar fituan qasje të paligjshme në fushë pas ceremonisë së mbylljes në stadiumin Lusail më 18 dhjetor”.

Nusret, i njohur gjithashtu si “Salt Bae” me lëvizjen e tij të famshme të hedhjes së kripës përmes krahut në biftek, hyri në fushë pas ndeshjes finale të Kupës së Botës midis Argjentinës dhe Francës dhe u përpoq të bënte selfie me lojtarët argjentinas.

Ai madje arriti të prekë trofeun e Botërorit në ceremoni, ndërsa vetëm fituesit e Kupës së Botës dhe krerët e shteteve lejohen ta prekin atë sipas rregullave të FIFA-s.

Hyrja e tij në ceremoni ngjalli polemika në rrjetet sociale.

Pamjet që tregojnë kapitenin argjentinas Lionel Messi në siklet pas këmbënguljes së kuzhinierit për të bërë selfie me të, u bënë virale në mediat sociale.

Të mërkurën, US Open Cup, kompeticioni më i vjetër kombëtar i futbollit në SHBA, tha në twitter se ndalojnë Nusretin nga finalja e vitit 2023.

Kategoritë
BotaLajmeSport