Shtëpia më e lartë e futbollit botëror (FIFA) po përgatit një revolucion të ri – zgjerimin e Kupës së Botës në plot 64 ekipe, gjë që ka trazuar sërish opinionin publik.
Kupa e ardhshme e Botës që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada do të jetë historike me numrin më të madh të ekipeve pjesëmarrëse ndonjëherë. FIFA tashmë e ka zgjeruar numrin e ekipeve nga 32 në 48, por nuk dëshiron të ndalet aty.
Në fakt, FIFA ka nisur planifikimin që Kupa e Botës e vitit 2034 të luhet me plot 64 përfaqësuese, gjë që me të drejtë ka ngritur shqetësime, pasi me zgjerimin e numrit të ekipeve humbet cilësia e futbollit në garën më të madhe ndërkombëtare.
Aktualisht janë 210 përfaqësuese nën ombrellën e FIFA-s që garojnë për kualifikim në Kupën e Botës, dhe nëse FIFA e miraton numrin prej 64 pjesëmarrësish, kjo do të thotë se pothuajse çdo e treta përfaqësuese në botë do të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Kjo padyshim do të ulte cilësinë e futbollit në atë që konsiderohet “më e shenjta” për çdo kombëtare, por në të njëjtën kohë Arabia Saudite, e cila është mikpritëse e Kupës së Botës 2034, e ka pritur me entuziazëm këtë mundësi zgjerimi.
“Jemi të gatshëm ose do të jemi të gatshëm, inshallah. Nëse kjo është një vendim që FIFA e merr dhe e konsideron të mirë për të gjithë, ne jemi më shumë se të lumtur ta zbatojmë,” tha princi Abdulaziz bin Turki bin Faisal, ministri i sportit i Arabisë Saudite, në përgjigje të pyetjes për zgjerimin e numrit të ekipeve në Kupën e Botës në vendin e tij.
Ndërkohë, bisedimet për rritjen e numrit të ekipeve në 64 tashmë kanë nisur dhe FIFA po negocion me drejtuesit e CONMEBOL-it, shtëpisë më të lartë të futbollit në Amerikën e Jugut.
Kujtojmë se Arabia Saudite u konfirmua në dhjetor si organizatore e Kupës së Botës 2034, pasi ishte kandidati i vetëm serioz nga Azia dhe Oqeania që pretendonte se mund të organizonte një ngjarje të tillë.