Fillojnë bisedimet indirekte Iran-SHBA të ndërmjetësuara nga Omani

Diskutimet janë të përqendruara në programin bërthamor të Iranit dhe vijnë në mes të tensioneve të rritura midis dy vendeve, veçanërisht pas rizgjedhjes së Donald Trumpit si president i SHBA-së

Bisedimet indirekte midis Iranit dhe SHBA-së, të ndërmjetësuara nga ministri i Punëve të Jashtme i Omanit, Esmaeil Baghaei, kanë nisur në kryeqytetin Muscat, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Omanit, Esmaeil Baghaei tha se “bisedimet indirekte” në Muscat janë duke u zhvilluar midis ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Baghaei në rrjetet sociale njoftoi se bisedimet po ndërmjetësohet nga ministri i Punëve të Jashtme i Omanit, Badr Albusaidi.

Ai njoftoi se përfaqësuesit e palës iraniane dhe amerikane janë ulur në dhoma të ndara, ku të dyja palët i përcjellin pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre njëra-tjetrës përmes ministrit të Jashtëm të Omanit.

Araghchi, i shoqëruar nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Majid Takht-Ravanchi, mbërriti në Muscat sot herët për të marrë pjesë në bisedimet indirekte me palën amerikane të udhëhequr nga Witkoff.

Diskutimet janë të përqendruara në programin bërthamor të Iranit dhe vijnë në mes të tensioneve të rritura midis dy vendeve, veçanërisht pas rizgjedhjes së Donald Trumpit si president i SHBA-së.

Në një letër muajin e kaluar, Trump kërkoi nga Irani të angazhohet në bisedime me SHBA-në për programin bërthamor iranian, por Teherani refuzoi bisedimet e drejtpërdrejta, duke rënë dakord për diskutime indirekte me ndërmjetësimin e Omanit.

Pastaj, Trump kërcënoi Iranin me bombardime dhe tarifa dytësore nëse nuk arrin një marrëveshje me SHBA-në mbi programin bërthamor të tij, duke shkaktuar reagime të ashpra nga Teherani.

Thuhet se administrata e re amerikane i ka kërkuar Iranit të negociojë një marrëveshje të re bërthamore për të zëvendësuar marrëveshjen e vitit 2015, e cila u la anash pasi SHBA-ja u tërhoq nga ajo në muajin maj të vitit 2018 gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, shumë raunde bisedimesh indirekte u mbajtën në Vjenë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian (BE), por ato nuk arritën të japin një përparim.

Çështja e negociatave me SHBA-në ka mbetur e polarizuar brenda Iranit, me një fraksion që e mbështet atë dhe një tjetër që argumenton se Turmpit nuk mund t’i besohet.

Në takimin me homologun e tij nga Omani sot më herët, Araghchi theksoi se ekipi negociator iranian po kërkon të arrijë një marrëveshje të ndershme bazuar në baza të barabarta.

“Nëse pala tjetër mban të njëjtin pozicion, me dëshirën e Zotit, do të ketë një mundësi për një mirëkuptim fillestar që do të çojë në një rrugë negociatash”, citohet të ketë thënë ai.

Kategoritë
BotaLajme